“Mazhoranca do ketë si kandidat të sajin një personalitet drejtues”
Zgjedhja e Presidentit të ri - deklaron Kryeministri Sali Berisha
Kryeministri Sali Berisha ripërsëriti dje nga Kamza ku mori pjesë në aktivitetet e bashkisë së këtij qyteti për “Ditën e Shqipërisë së Pastër”, se mazhoranca do ketë kandidatin e saj për president të Republikës. Kreu i qeverisë theksoi se në kohën e duhur të procesit, drejt Kuvendit do shkojë propozimi për Presidentin, i cili do të jetë një nga personalitetet e Partisë Demokratike. “Sot nuk do flas për politikë, sepse jemi këtu për një çështje me shumë rëndësi sikundër është mjedisi. Unë ju them se mazhoranca do të paraqesë kandidatët e saj për kreun e ri të shtetit”, u shpreh kryeministri Berisha.
Edhe në konferencën për shtyp të dy ditëve më parë, shefi i ekzekutivit deklaroi se presidenti i ardhshëm do të dalë nga radhët e PD, duke mos përjashtuar edhe konsultimet me opozitën.
Ndërkaq, ish kryeministri socialist, Fatos Nano dy ditë më parë i ftuar në një emision televiziv ka shprehur sërish ambicien e tij për të qenë kreu i ri i shtetit. Në përmbushje të kësaj ambicie, ai dje ka zhvilluar edhe një takim me kreun e LSI-së Ilir Meta.