Biznesi ben bilancin Pengu i 2010-s amnistia dhe gjykata
Fundi i vitit i jep mundësi biznesit shqiptar të kuptojë më mirë se çfarë arriti pozitivisht dhe ku dështoi me nismat e marra. Pavarësisht ecurisë pozitive në kushtet e krizës ekonomike, për kryetarin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, Nikolin Jaka, biznesi u gjend në situata të vështira, ndikuar nga reduktimi i buxhetit. Dy janë në thelb “dështimet” e biznesit, të lidhura edhe me faktorin politik: amnistia fiskale dhe gjykata administrative.
“Edhe pse Buxheti i Shtetit nuk i erdhi në ndihmë, ngaqë qeveria korrigjoi në ulje planin e saj disa herë gjatë vitit dhe shkurtoi rreth 147 milionë euro investime kapitale të planifikuara, biznesi arriti të rezistojë dhe kishte sipërmarrje dhe nisma të suksesshme, sidomos në sektorin e eksporteve shqiptare”, tha dje në konferencën mbyllëse për 2010-n, Jaka. Duke u ndalur te dy proceset më të rëndësishme, kreu i Dhomës së Tiranës tha se, mbarë komuniteti i biznesit kërkoi me ngulm miratimin në Parlament të projektligjit të Gjykatës Administrative, si zgjidhjen e një kalvari pothuajse 20-vjeçar raportesh të vështira dhe shkeljesh flagrante të të drejtave të biznesit, nga organet doganore dhe tatimore të vendit. “Politika shqiptare e mbajti peng gjatë gjithë këtij viti, duke dëmtuar jo pak interesat jo vetëm të biznesit, por edhe të ekonomisë së vendit”, tha Jaka. Sipas tij, tjetër peng i vullnetit politik të munguar është edhe realizimi i amnistisë së plotë fiskale, të kërkuar që në janar 2010, sërish me ngulm, nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë e Qarkut Tiranë”, theksoi Jaka.
Këtu dy procese konsiderohen sfidë për biznesin, i cili për vitin 2011 do t’i vendosë në prioritet kryesore, duke shtuar akoma e më shumë presionin ndaj politikës me anë të propozimeve konkrete.
Tjetër sfidë do të jetë zgjidhja e problemit me kreditë e këqija, niveli i të cilave sot e ka kapërcyer kufirin 14 për qind.
Gjatë 2010-s, dhoma realizoi trajnime për biznesin në fushën e menaxhimit të sipërmarrjes, sidomos atij financiar, të përgatitjes së planeve të biznesit, të planit të marketingut ndërkombëtar për kompanitë eksportuese dhe të aftësive negociuese dhe argumentuese.