Biznesi gjerman rrit prezencën e tij në Shqipëri

Nga data 23-25 prill zhvillohet në Tiranë panairi i parë i biznesit gjerman
Panairi i parë i biznesit gjerman, që do të zhvillohet në Pallatin e Kongreseve në Tiranë në datat 23-25 prill, pritet të paraqesë një këndvështrim të ri të zhvillimit të biznesit, por dhe besimin e shqiptarëve ndaj mallrave dhe prodhimeve gjermane. Unioni i Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë, organizatore e këtij panairi të parë të biznesit gjerman, bënë të ditur se në këtë aktivitet pritet të marrin pjesë më shumë se 39 kompani të fushave të ndryshme, përfaqësues të industrisë së makinave, ndërtimit, mjekësisë, farmaceutikës, ushqimimeve, këpucëve etj. Oliver Rohrbach, ekspert i integruar i Bashkimit te Ekspertëve Gjermanë (CIM) pranë Unionit të Dhomave të Tregtisë shprehet se "nuk ishte vetëm ideja për të bërë një panair ndryshe, por edhe se shqiptarët janë dashamirës ndaj prodhimeve dhe mallrave gjermane". Organizimi i këtij panairi ka gjetur edhe mbështetjen e Ambasadës Gjermane në Tiranë, Dhomës Gjermane të Tregtisë (DIHA) dhe Ministrisë së Ekonomisë Tregtisë dhe Energjitikës. Firmat pjesëmarrëse janë jo vetëm ato që ushtrojnë aktivitetin në vendin tonë, por dhe shumë të tjera që kërkojnë të hyjnë në të, si në fushën e veshjeve, pijeve, farmaceutikës dhe ndërtimit. "Duket se me këtë rast do t'i hapim rrugën dhe të një tradite për një panair të këtij lloji", thotë Rohrbach. Ndërkohë Gjermania renditet si një ndër partnerët e rëndësishëm tregtarë me Shqipërinë, ku vend kryesor zënë importet e mallrave me këtë vend. Sipas të dhënave të publikuara së fundi nga Instituti i Statistikave (INSTAT), gjatë vitit 2008 importet shënuan vlerën e 17 miliard e 771 milionë lekë. Vendin kryesor e zënë makineritë dhe pajisjet, ndërsa eksportet me Gjermaninë për këtë periudhë arritën në 2 miliard e 47 milionë lekë. Referuar të dhënave nga Ministria e Ekonomisë, gjatë 20 viteve të fundit Republika Federale e Gjermanisë ka financuar projekte të shumta në Shqipëri për zhvillimin ekonomik dhe social. Sipas burimeve nga zyra e Bankës për Zhvillim Kfë në Tiranë, qeveria gjermane është aktive prej dy dekadash në Shqipëri në sektorë strategjikë të ekonomisë, si atë të furnizimit me ujë të pijshëm dhe me energji elektrike, por edhe në mbështetjen e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme. Në kuadër të marrëdhënieve dy a shumëpalëshe, Gjermania ka kontribuar për Shqipërinë gjatë 20 viteve të bashkëpunimit me rreth 800 milion euro, shumë e cila për frymë të popullatës është më e madhja që ky shtet i ka dhënë një vendi tjetër në botë.
...