Matura shtetërore, rreth 30% e nxënësve rifuten në provim

Kërkesat e maturantëve që kanë përfunduar shkollën e mesme para vitit 2008, por që dëshirojnë të vazhdojnë studimet e larta në vitin e ardhshëm akademik, rezultojnë në një shifër të lartë, sipas të dhënave të Agjencisë së Vlerësimit të Arritjeve të Nxënësve (AVA). Me ndryshimin e rregullores së provimeve të këtij viti, që lejon maturantët para 2008-s që të futen në procesin e përzgjedhjes, aplikimet nga kjo kategori maturantësh, nëpërmjet formularit A-1Z, zënë një përqindje të konsiderueshme. "Aktualisht po zbardhen detajet e plotësuara në formularët e caktimit të lëndëve me zgjedhje, nga ku rezulton se jo pak, por 30 për qind e të interesuarve, rifuten sërish në garën e provimeve për pranimet në universitet", tha drejtori i AVA-s, Alfons Harizaj. Megjithatë, sipas tij të dhënat e plota lidhur me numrin e maturantëve të diplomuar para vitit 2008 do të publikohen gjatë javës së parë të muajit maj, kohë kur parashikohet të ketë përfunduar procesi i hartimit të listave për gjithë kandidatët që kanë konkurruar për shkollë të lartë për vitin e ri akademik. Procesi i përllogaritjes për caktimin e kandidatëve fitues do të jetë i ndryshëm për maturantët e këtij viti dhe ata para 2008-s. Për këta të fundit, të cilëve do t’u njihen rezultatet, në procesin e llogaritjes së 5 komponentëve të maturës, do të merren si bazë koeficientët e vitit të shkuar dhe jo ata të miratuar gjatë këtij viti nga Ministria e Arsimit. Njëkohësisht këta kandidatë do të kenë mundësinë që në plotësimin e formularit A-2 të bëjnë një tjetër renditje preferencash për studimet e larta, ndryshe nga ato që kanë bërë në vitet kur nuk janë shpallur fitues në asnjërën prej degëve. Pas mbledhjes së të dhënave të depozituara nga të gjitha drejtoritë arsimore të vendit, rezulton se rreth 47 mijë maturantë kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta për vitin e ardhshëm akademik. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta, duhet të plotësojnë edhe formularin A-2 brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në komisionet shkollore të maturës shtetërore. Drejtoritë arsimore do të duhet të njoftojnë maturantët e vjetër, të cilët do të japin provim të paktën një prej lëndëve me zgjedhje, për vendin se ku duhet të paraqiten ditën e provimit si dhe kodin e regjistrimit që do të kenë. Periudha e provimeve nis me lëndët e detyruara në fillim të muajit qershor dhe më pas lëndët me zgjedhje, që do të jepen në një ditë të vetme: më 10 korrik.
...