E Diel, 1 Nëntor 2026

Shkodra pret Edi Ramën me thirrjet “Sali Berisha”, “Sali Berisha”



Shkodranët kanë pritur dje Edi Ramën me thirrjet “Sali Berisha”, “Sali Berisha”, ndërsa mitingu i paralajmëruar për t’u zhvilluar në shesh, ka qenë një dështim i vërtetë. Banorët e Shkodrës, sikurse pritej, kanë përcjellë me indiferentizëm takimin e paralajmëruar për t’u zhvilluar pasditen e djeshme nga dega lokale e PS-ës, ku ishte i pranishëm dhe kryetari i kësaj partie Edi Rama. Megjithëse krerët lokalë të PS-ës kishin menduar ta thërrisnin popullin në shesh dhe për këtë kanë punuar një javë me spote publicitare dhe makina lëvizëse, sheshi pranë shatërvanit nuk ka rezervuar ndonjë pritje të veçantë për kreun e PS, ku dhe brohoritjet e atyre që ishin të pranishëm ishin të pakta dhe si zakonisht dirigjoheshin nga personat e ardhur nga Tirana që të shpërndarë në turmë thërrisnin të parët, ndonëse pa u ndjekur nga të pranishmit.


Por pritja e thatë që socialistët i rezervuan kryetarit të tyre, nuk ishte i vetmi realitet në takimin e zhvilluar. Pas përfundimit të takimit, Edi Rama i shoqëruar dhe nga deputetë e drejtues të tjerë të PS-ës, përshkoi në këmbë rrugën nga prefektura e deri tek ish-Kafja e Madhe. Ndërsa lëvizte ngadalë në këmbë, me shpresën se qyfterët që pasditeve frekuentojnë këtë rrugë apo qëndrojnë në kafenetë anës saj do të takoheshin me të, do ta ndalnin apo përshëndetnin, kjo nuk ndodhi.


Por veç kësaj, ndërsa lëvizte duke parë majtas e djathtas, qartë dëgjoheshin thirrjet “Sali Berisha”, “poshtë Edi Rama”, që spontanisht vinin nga tavolinat e kafeneve apo njerëzit që kalonin me biçikletë. Kishte prej tyre që iu drejtuan Ramës duke i thënë , “lëviz lirshëm pa roje se nuk të bën gjë kush pasi nuk i duhesh gja askujt, nuk vlen për asgjë”. E ndërsa Rama shpejtoi hapat për tu futur në një prej lokaleve të kësaj rruge, duke shtrënguar dhëmbët nga ky reagim spontan dhe domethënës, shkodranët indiferentë ndaj tij e politikës që ai përfaqëson shprehnin në mënyra të ndryshme vetëm përbuzje. Madje dhe brenda lokalit ku ai hyri për kafe, dhe pse në një vend të rezervuar e të veçuar, askush nuk ia hodhi sytë kreut të PS.


I mësuar me takime të mbyllura, ku sallat mbushen me mitingashë të eksportuar nga Tirana, këtë here që Edi Rama provoi të dilte në shesh të hapur në Shkodër , mori mjaft prej shkodranëve. Mori përçmimin e tyre ndaj tij dhe politikës që ai përfaqëson si dhe mesazhin se Shkodra nuk e do asnjëherë të majtën sado që të ndryshojnë drejtuesit e saj. Ajo me qytetari e injoron me indiferentizmin e saj ndaj drejtuesve të së majtës .


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›