E Shtunë, 31 Tetor 2026

EUROSTAT: Konstatohet një rritje e madhe e defiçitit dhe e borxhit në eurozonë

Defiçiti publik dhe borxhi i vendeve të zonës euro janë rritur ndjeshëm gjatë vitit të kaluar, mësohet nga një vlerësim i publikuar sot nga zyra evropiane e statistikave Eurostat, ndërkohë që recesioni dhe planet për nxitjen ndikojnë mjaft në financat publike. Defiçiti publik ka arritur në 1,9 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto në 16 vende të zonës euro në vitin 2008, ose shumë më tepër se 0,6 për qind të regjistruar në vitin 2007. Defiçiti është gjithashtu më i lartë nga sa kishte përcaktuar Komisioni Evropian në parashikimet e fundit, të publikuara në janar. Ai parashikonte atëherë një defiçit prej 1,7 për qind në vitin 2008 në zonën euro. Irlanda dhe Greqia kanë patur defiçitet më të larta të zonës euro, prej 7,1 për qind për Irlandën dhe 5 për qind për Greqinë. Duket qartë se është shumë më tepër nga limiti prej 3 për qind i GDP-së i autorizuar nga Pakti i Stabilitetit dhe rritja evropiane. Borxhi publik është rritur ndjeshëm në zonën euro vitin e kaluar, në 69,3 për qind të GDP-së, kundrejt 66 për qind në vitin 2007. Komisioni Evropian parashikon deri tani vetëm 68,7 për qind të GDP-së. Në të 27 vendet e Bashkimit Evropian, defiçiti është rritur me 2,3 për qind të GDP-së dhe borxhi në 61,5 për qind të GDP-së.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›