Tregtimi i bombolave të gazit të lëngshëm në njësitë ushqimore një rrezik për qytetarët

Bombolat e gazit, që shiten bashkë me bukën, qumështin, artikuj të tjerë ushqimorë, detergjentë të ndryshëm apo dhe materiale ndërtimi, në njësitë tregtare me pakicë në zona të ndryshme të Tiranës paraqesin rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre. Të ndodhura në katet e para të banesave, pa masa mbrojtëse, jashtë çdo norme teknike, njësitë tregtare që shesin bombola gazi të lëngët, përbëjnë çdo ditë e më shumë rrezik për jetën e banorëve. Ajo që bie më shumë në sy është se në njësitë e tregtimit në disa zona të Tiranës, pjesës më të madhe të bombolave të gazit u mungojnë etiketat përkatëse, ku duhet të përfshihen emri i firmës tregtuese, data e mbushjes si dhe pesha reale e tyre. Shumica e njësive tregtare shesin gaz jashtë çdo kushti teknik, në kundërshtim me "Rregulloren për Pajisjet Nënpresion të trajtimit të gazit të lëngëzuar", në bazë të së cilës organet përkatëse të Bashkisë, duhet të pajisin me leje tregtimi të veçantë subjektet për shitjen e bombolave të gazit, pasi të kenë plotësuar të gjitha kushtet teknike. Nisur nga rrezikshmëria që paraqet tregtimi i tyre në zona të banuara, Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës, njoftoi sot nisjen e një aksioni për mbylljen e pikave të gazit të lëngshëm, do të përfshijë edhe njësitë ushqimore, që tregtojnë në mënyrë të jashtëligjshme bombola gazi dhe nuk kanë asnjë element sigurie. Sh.S, një banor në rrugën "Reshit Petrela" në Tiranë, vlerëson nisjen e këtij aksioni, duke u shprehur se "tregtimi i tyre është kthyer në një rrezik për komunitetin e kësaj zone". Ai tregon se në lagjen e tij janë të shumta pikat ku bombolat e gazit tregtohen jashtë kushteve të sigurisë dhe shpreson se aksioni i ndërmarrë sot do të shmangë këtë dukuri.
Reagon METE: Nis aksioni për mbylljen e pikave të paligjshme të tregtimit të gazit
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka nisur sot një aksion për mbylljen e pikave të paligjshme të tregtimit të gazit në Tiranë. Zëvëndësministri i METE-s, Neritan Alibali , tha në një konferencë shtypi, në të cilën ishte i pranishëm dhe zv/ministri i Brendshëm, Genti Strazimiri, se "për këtë aksion, që parashikohet të zgjasë tre ditë, është përgatitur një plan-veprimi me objekt mbylljen e këtyre veprimtarive dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të gjithë atyre që shkelin rregullat". Për këtë qëllim janë krijuar dy grupe kontrolli me përfaqësues të strukturave të Inspektoriatit Qendror Teknik, Policisë së Mbrojtjes nga Zjarri dhe Shpëtimi dhe Inspektoriatit të Ndërtimit, që do të mbështeten nga forcat e policisë. Alibali informoi se janë përcaktuar zonat e kontrollit mbi bazë minibashkie për secilin grup, si dhe u janë dhënë përgjegjësve të grupeve adresat përkatëse të identifikuara. "Grupet e kontrollit do të kryejnë edhe krehje të zonave të përcaktuara për këtë aksion, për të zbuluar dhe pika të tjera të paligjshme të përpunimit të gazit", nënvizoi Alibali, duke shtuar se në rast konstatimi të kundravajtjeve ligjore, grupet e kontrollit do të kryejnë procedimet përkatëse ligjore. Zv/ministri Alibali tha se nga informacionet e mbërritura konstatohet se situata më emergjente rezulton të jetë në përpunimin dhe tregtimin e Gazit në Tiranë, si dhe në disa qytete të tjera të mëdha të vendit. "Është konstatuar se procesi i transvazimit të GLN (gazit të lëngëzuar të naftës) nga bombola në bombol në pika shitje e ambiente brenda zonave të banuara është i pasigurtë, pasi nuk ka asnjë element sigurie teknike", nënvizoi Alibali, duke shtuar se ai kryhet në prezencë të qytetarëve, ambientet janë të papërshtatshme dhe kanë personel të pakualifikuar. Ky proces, vijoi ai, është klasifikuar në Grupin e Katërt të nivelit të sigurisë, që do të thotë se ka rrezikshmëri të lartë për jetën e qytetarëve dhe pronën e tyre. "Gjithashtu janë identifikuar instalime të paligjshme të autogazeve pranë stacioneve të karburanteve për automjete brenda zonave të banuara, që klasifikohen me nivel rrezikshmërie të Grupit të Tretë dhe si të tilla duhet të mbyllen", përfundoi zv/ministri Alibali. Ky aksion do të shtrihet më pas edhe në qytete të tjera të vendit.
...