Biznesi i Kosovës: Shqipëria të heqë barrierat doganore
Bizneset kosovare kërkojnë heqjen e barrierave tarifore mes Shqipërisë dhe Kosovës dhe rritjen e shkëmbimit tregtar midis dy vendeve. Në takimin e zhvilluar midis Këshillit të Agrobiznesit Shqiptar dhe Aleancës së Bizneseve Kosovare, u theksua se të dy vendet duhet të shfrytëzojnë maksimalisht tregjet e njëri- tjetrit. I pyetur për çmimet e referencës mes dy vendeve, kreu i Aleancës së Bizneseve Kosovare, Agim Shahini, tha se duhen eliminuar të gjitha barrierat. I këtij mendimi ka qenë edhe presidenti i KASH-it, Enver Ferizaj, i cili theksoi se viti 2012 do të ketë në fokus rritjen e eksport-importeve mes dy vendeve. Sipas të dhënave të Aleancës së Biznesit Kosovar, vetëm në 9-mujorin e parë të 2011-s ka pasur një rritje të importit nga Shqipëria në Kosovë, e cila llogaritet të jetë rreth 70 milionë euro, ndërsa janë eksportuar në Shqipëri vetëm 20 milionë euro. Nga ana tjetër Ministria e Financave e ka konsideruar një rast sporadik faktin që doganat shqiptare aplikojnë çmim reference ndaj mallrave që vijnë nga Kosova. Pas shqetësimit të ngritur nga pala kosovare, numri dy i Financave, Alfred Rrushaj, sqaroi dje për mediat se qeveria shqiptare i qëndron marrëveshjes mes dy vendeve. Sipas tij, ky rast bën fjalë për një produkt të vetëm, për të cilin po verifikohet nga doganat aplikimi i çmimeve të referencës. Ndërsa kreu i aleancës kosovare për biznesin, Agim Shahini, u kërkoi autoriteteve shqiptare të respektojnë marrëveshjen. Një ditë më parë zv.kryeministrja e Kosovës reagoi ashpër. Sipas saj, doganat shqiptare vendosin masa shtrënguese ndaj mallrave të vendit fqinjë dhe Kosova do të detyrohet të përgjigjet me të njëjtën monedhë. Disa muaj më parë dy shtetet arritën në një marrëveshje sipas së cilës nuk do të ketë çmime referencë ndaj mallrave që vijnë nga Kosova. Por një marrëveshje e tillë është shkelur nga pala shqiptare. Importi i mallrave që vijnë nga Serbia dhe Mali i Zi është gati 5 herë më i lartë si ai me Kosovën, vendin më te afërt me Shqipërinë, distanca me të cilin nga Tirana është vetëm 3 orë. Të dhënat nga INSTAT për vitin 2010 flasin se importi me Kosovën kap shifrën e 3.8 miliardë lekëve, ndërsa me Serbi-Malin e Zi shifrën e 18.6 miliardë lekëve. Ndonëse importimi i mallrave nga vendet e rajonit është pa tarifa doganore, serish barrierat në çmimet e referencave penalizojnë tregtinë me Kosovën, kryesisht në produktet ushqimore. Ekspertët janë të mendimit se kjo shkallë e ulët e volumit tregtar është e nevojshme të negociohet mes dy vendeve, për të rritur shkëmbimet. Nga ana tjetër mungesa e një tregu të ristrukturuar është shkak i kësaj situate.