Ilaçet e zemrës, 26 mijë pacientë në muaj me rimbursim
Ulen çmimet e barnave me rimbursim, rriten përfitimet për të sëmurët. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana: Gjatë vitit 2011 janë ofruar më shumë shërbime për pacientët
Ulja e çmimit të barnave me rimbursim, veçanërisht atyre të shtrenjta ka rritur ndjeshëm përfitimet për pacientët. Një nga kategoritë që ka përfituar më shumë nga skema e rimbursimit është ajo e të sëmurëve nga problemet kardiovaskulare, ku vetëm për një muaj ISKSH rimburson 26 mijë pacientë. Në mbyllje të vitit, drejtoresha e Institutit të Kujdesit Shëndetësor, Elvana Hana ka bërë të ditur bilancin e përfituesve nga lista e barnave me rimbursim, një numër ky në rritje nga viti në vit. “Në zbatim të politikave të qeverisë që nga viti 2006 e këtej është arritur ulja e çmimeve të barnave të rimbursueshme (deri në masën 17%) në funksion të rritjes së përfitimeve për pacientët. Njëherësh është rritur ndjeshëm numri i pacientëve që kanë përfituar nga rimbursimi i barnave, duke e zgjeruar skemën me ritme mjaft të larta nga viti në vit”, - tha drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana. Më konkretisht, ajo sjell disa shembuj që tregojnë rritjen e numrit të përfituesve. Kështu, me barin eritropoetinë (që përdoret për kurimin e pacientëve që vuajnë nga insuficienca renale) në vitin 2006 kuroheshin 182 pacientë, ndërsa sot trajtohen rreth 550 pacientë, me vlerë totale rimbursimi 28 milionë lekë/muaj; pra ka një trefishim të pacientëve të trajtuar dhe të shpenzimeve të rimbursimit. “Nëse flasim për barna me përdorim të gjerë, ju sjellim në vëmendje një prej barnave të sëmundjeve kardiovaskulare (losartan), të cilin sot e përfitojnë 26 mijë pacientë në muaj, në një kohë që në vitin 2006 e përfitonin më pak se 5 mijë pacientë”, - sqaroi Hana. Sipas saj, gjatë vitit 2011 shpenzimet e rimbursimit të barnave u rritën ndjeshëm për shkak të zgjerimit të skemës, çmimeve më të larta të barnave, rritjes së kursit të këmbimit të euros dhe disa faktorëve të tjerë. Për këtë arsye, qeveria ndërhyri duke aplikuar marzhe më të ulëta dhe rrjedhimisht çmime më të lira për barnat. “Bilanci ynë në këtë fundviti tregon se ulja e çmimeve pati efekt në uljen e shpenzimeve totale të rimbursimit me 7% dhe me këto fonde, ne bëmë të mundur që të mjekohen një numër më i madh pacientësh nga muaji në muaj. Më konkretisht, grupi i pacientëve që trajtohen me barna të shtrenjta ka qenë ai grup që ka përfituar nga ulja e marzheve. Për shembull, në muajin korrik 2011, me Imatinib 100mg janë trajtuar 73 pacientë me leucemi për një vlerë rreth 29 milionë lekë, ndërsa në muajin tetor (pas uljes së çmimeve) me këtë vlerë lekësh janë trajtuar 78 pacientë, pra 5 pacientë më shumë”, - u shpreh drejtoresha e ISKSH-së. Po ashtu, ajo ka bërë të ditur se edhe për barnat e grupit të sëmundjeve kardiovaskulare, të cilat trajtojnë sëmundje kronike, kryesisht për kategorinë e pensionistëve dhe veteranëve ka një rritje të numrit të pacientëve të trajtuar. Këtu ajo ka përmendur barin Lecarnil 10mg, me të cilin gjatë muajit gusht janë trajtuar 8700 pacientë për një vlerë rreth 27 milionë lekë, në një kohë që në tetor, me po këtë shumë lekësh kanë përfituar trajtim rreth 9100 pacientë (ose rreth 400 pacientë më shumë). Sipas drejtoreshës së ISKSH-së, politikat e qeverisë për uljen e çmimit të barnave kanë bërë të mundur mbajtjen e fondit të rimbursimit në nivelin e miratuar dhe rimbursimin e më shumë barnave e si rrjedhim, përfitimin e tyre nga një numër më i madh pacientësh brenda së njëjtës kosto. Aktualisht në listën e rimbursimit janë 420 barna, me një vlerë prej 6.9 miliardë lekësh, por që krahasuar me vitin 2006 përfitimet e pacientëve janë dyfishuar.