E Diel, 1 Nëntor 2026

Qe nga nje janari fluturimet drejt BE me te shtrenjta

Fluturimet drejt dhe nga BE pas një janarit do të jenë më të shtrenjta. Gjykata e Drejtësisë Europiane ka aprovuar ligjin e ri të BE-së, i cili që nga një janari i vitit 2012 do t’i detyrojë të gjitha kompanitë ajrore, që janë të kontraktuara me BE-në, të paguajnë një taksë shtesë për të kompensuar emetimin e dioksidi të karbonit në atmosferë.
Vendimi për rritjen e taksës së karbonit nga ana e Komisionit Europian për klimën është marrë në kuadër të sfidave për ndryshimet klimatike. Sipas vlerësimeve të europianëve kostoja fillestare pritet të jetë minimale por deri në vitin 2020 do të rritet në 9 miliardë euro. Në terma ekonomikë Komisioni Europian deklaron se kostoja për çdo pasagjer mund të rritet midis 2 deri në 12 euro. Vlera është më e ulët se gjoba 100 euro për çdo pasagjer në rast të mos përmbushjes së kushteve.
Por analistët e tregut thonë se kostoja për çdo pasagjer do të rritet midis 10 dhe 50 euro. Kompanitë ajrore vlerësojnë një kosto më të lartë dhe kërkojnë zgjidhje në rang global dhe jo rajonal. Kompanitë ajrore thonë se kostot do të paguhen nga udhëtarët. Ndërsa analistët e tregut paralajmërojnë udhëtarët të përgatiten për një biletë më të shtrenjtë.
Çështja ka shumë probleme dhe ka hapur një debat ligjor. Vendimi i KE-së është pasuar nga reagime të forta të partnerëve tregtarë, sidomos të Shteteve të Bashkuara te Amerikës dhe të Kinës. Përfundimisht të gjitha kompanitë e aviacionit që ndalojnë në aeroportet e Bashkimit Europian duhet të blejnë licencat sipas skemës së tregtisë së karbonit.
Shtetet e Bashkuara janë shprehur të zhgënjyera dhe kanë paralajmëruar se do të ndërthurin veprimet e nevojshme për të mbrojtur biznesin e tyre. Amerikanët kanë kërkuar që kjo çështje të zgjidhet nga Organizata Ndërkombëtare e Aviacionit Civil.
Për vendin aziatik, Kinën, ligji për rritjen e taksës mbi karbonin për fluturimet për dhe nga Europa, do të provokojë një luftë tregtare. Agjencia kineze, Xinhua citon se kjo është një pengesë tregtare në emër të një tutele të ambjentit dhe do të asistojë në një goditje të fortë për pasagjerët dhe sektorin ajror ndërkombëtar.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›