Fullani me bankat: Të rikuperohen kreditë me probleme
Guvernatori Fullani u kërkoi bankave të rrisin vigjilencën gjatë vitit 2012, për shkak të rreziqeve që po kalon ekonomia botërore në tërësi. Arkëtimi i kredive me probleme duhet të jetë në fokus
Duke e konsideruar vitin 2011 një vit të suksesshëm, guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Ardian Fullani, u kërkoi bankave të nivelit të dytë të rikuperojnë kreditë me probleme gjatë vitit të ardhshëm. Guvernatori zhvilloi takimin e fundvitit me përfaqësuesit e 16 bankave në vend dhe në fjalën e tij tha se veprimtaria mbikëqyrëse e Bankës së Shqipërisë e ka vënë theksin në identifikimin e saktë të gjendjes së portofolit të kredisë, duke kërkuar që bankat të veprojnë me vendosmëri për të rikuperuar vlerën e kredive me probleme. Fullani tha se kjo do të mundësohet si nëpërmjet mbështetjes për huamarrësit cilësorë që ndeshin probleme të përkohshme, ashtu edhe nëpërmjet ekzekutimit të kolateraleve për huamarrësit e pashpresë. Çështja e ekzekutimit të kolateraleve dhe nevoja për përmirësimin e kuadrit përkatës ligjor dhe operacional, është konsideruar me përparësi nga ana e Bankës së Shqipërisë. Në vijim të rekomandimeve që dolën nga forumi i posaçëm i organizuar për këtë qëllim, Banka e Shqipërisë është seriozisht e angazhuar për të përshpejtuar trajtimin e tyre me përparësi nga autoritetet e tjera publike, u angazhua guvernatori. “Sektori bankar arriti të mbyllë me sukses vitin 2011”, tha Fullani, duke shtuar se roli i bankave në mbështetjen e aktivitetit ekonomik të vendit ishte i një rëndësie të veçantë, ndërkohë që nga ana tjetër kujdes i madh është bërë për të garantuar shëndetin financiar të tij. Banka e Shqipërisë ka kryer në mënyrë periodike provat e rezistencës për të gjitha bankat e sistemit, duke imponuar në çdo rast rritjen e kapitalit për banka të veçanta, në mënyrë që siguria dhe funksionaliteti i industrisë bankare të mos vihet në dyshim për asnjë moment. Aktualisht, po punohet që ky projekt të shndërrohet në formën e një bashkëpunimi rajonal, duke marrë parasysh faktin se grupe të njëjta bankare janë të shtrira në të gjithë rajonin, tha guvernatori. Duke iu referuar raportimeve të plota të bankave për fundin e muajit shtator 2011, vërehet që totali i aktiveve të sektorit bankar është zgjeruar me ritme të mira, duke u rritur me 9.5% që prej fillimit të vitit dhe rreth 13% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Portofoli i kredive të sektorit bankar është rritur me 9.6% gjate vitit, ose rreth 15% në krahasim me një vit më parë; duke zënë 49.1% të totalit të aktiveve. Gjatë vitit, kredia në lekë është rritur me ritme më të shpejta se kredia në valutë. Zgjerimi i aktivitetit është mbështetur kryesisht prej rritjes së depozitave, të cilat zënë 81.4% të totalit të detyrimeve. Gjatë vitit, ato janë rritur me 9.7% dhe janë 14.1% më të larta se në të njëjtën periudhë të vitit 2010. Si rezultat i kësaj situate treguesit e likuiditetit paraqiten në nivele të qëndrueshme dhe pritet të forcohen si rezultat i kërkesave të fundit rregullative të Bankës se Shqipërisë. Standardet ndërkombëtare kërkojnë që fokusi të vendoset jo në planifikimin e ngjarjeve të pritshme me një probabilitet të lartë, por në vlerësimin e qëndrueshmërisë së institucionit ndaj zhvillimeve relativisht ekstreme dhe të pafavorshme, këshilloi guvernatori ndaj Bankave. Sipas tij, ky proces duhet të bëhet pjesë e analizës më të zgjeruar dhe të vazhdueshme që ju duhet të kryeni për të vlerësuar nevojat tuaja për kapitalizim të qëndrueshëm të veprimtarisë dhe për të përcaktuar masa të tjera mbrojtëse.
Fitimi i bankave në 9 muaj, 10 milionë euro
Deri në muajin shtator, veprimtaria bankare rezultoi me fitim në masën 1.3 miliardë lekë, ose 10 milionë euro, tha dje guvernatori Fullani në takim me Shoqatën e Bankave. Treguesi i mjaftueshmërisë së kapitalit rezultoi në nivelin 15.1 për qind, duke u paraqitur më mirë se niveli në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit. Kjo për shkak të rritjes së kapitalit nga disa banka pas kërkesës së bërë nga ana e Bankës së Shqipërisë. Zhvillimet e lartpërmendura konfirmojnë qëndrueshmërinë e besimit të publikut në sektorin bankar shqiptar dhe kontributin e rëndësishëm që sektori bankar ka dhënë në financimin e ekonomisë shqiptare gjatë këtij viti, shtoi guvernatori. Rënia e cilësisë së portofolit të kredisë dhe kërkesat për administrimin e rrezikut të kreditit janë shoqëruar me rritjen e fondeve përkatëse rezervë nga ana e bankave dhe kjo ka ndikuar në dobësimin e rezultatit financiar. Në përgjigje, bankat kanë arritur të optimizojnë kostot e veprimtarisë dhe të fuqizojnë treguesit e tyre të kapitalit. Gjithashtu, në bashkëpunim me Shoqatën e Bankave, Banka e Shqipërisë identifikoi dhe ndërmori edhe disa veprime të tjera mbikëqyrëse dhe rregullative, që synuan fuqizimin e gjendjes së kapitalizimit të veprimtarisë, dhe përmirësimin e kërkesave për treguesit minimal të likuiditetit në monedhën vendase dhe në monedhë të huaj.