Gërdeci, të dëmtuarve u duhen më shumë prova për heqjen e imunitetit të Mediut
Laureta Rryçi
Alketa Hazizaj nuk pranon ta falë ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. 27-vjeçarja ka mbajtur dje në Gjykatën e Lartë të njëjtin qëndrim si i mituri Roxhers Durdaj. Në seancën e pajtimit, ndryshe nga hera tjetër, ish-ministri nuk ka qenë i pranishëm, por është përfaqësuar nga dy avokatët e tij. Gjykata, përballë kësaj situate, u ka shpjeguar të dëmtuarve se për t'i kërkuar Parlamentit heqjen e imunitetit për Fatmir Mediun duhet të sjellin në seancën e radhës, në datën 1 mars të këtij viti, provat ku bazohen për akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia të ngritur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes. Kolegji penal, i drejtuar nga gjyqtari Andi Çeliku, vendosi t'i bashkojë të dyja paditë e familjeve Hazizaj dhe Durda në një proces të vetëm gjyqësor, për shkak se edhe akuzat që kanë ngritur ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes janë të njëjta.
Seanca
Në seancën e radhës, Gjykata i kërkoi mbrojtjes së dy familjeve që e kanë akuzuar Fatmir Mediun të sjellin provat konkrete, të cilat bazojnë padinë e ngritur për plagosje të rëndë. Kanë qenë paditësit që kanë kërkuar kohë të mjaftueshme për t'i grumbulluar të gjitha këto prova që do t'u duhet t'i përfaqësojnë në seancën e radhës. Nga ana tjetër, mbrojtja e ish-ministrit ka deklaruar se akuza e ngritur ndaj klientit të tyre nuk qëndron për shkak se edhe prokuroria, që hetoi këtë ngjarje, nuk e akuzoi për plagosje të rëndë Mediun, por vetëm për shpërdorim detyre. Gjykata cilëson se vendimin për këtë e jep trupa gjyqësore, duke i lënë kohë mbrojtjes së dy familjeve që kanë akuzuar ministrin aktual të Ambientit në akuzën e plagosjes së rëndë nga pakujdesia.
Padia
Sipas padisë që mban emrin e Alketa Hazizajt, thuhet se mbështetur në dokumente, evidentohen mjaft indicie dhe të dhëna që përbëjnë dyshim të arsyeshëm se shtetasi Fatmir Mediu ka kryer veprime dhe mosveprime në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së tij në cilësinë e ish-ministrit të Mbrojtjes, se ato kanë lidhje shkakësore me pasojat e ardhura nga ngjarja e ndodhur në Gërdec. Indiciet, të dhënat dhe provat lidhur me veprimet dhe mosveprimet në kundërshtim me ligjin, që përbëjnë mospërmbushje të rregullt të detyrës së kryer nga ish-ministri i Mbrojtjes, z. Fatmir Mediu, janë renditur në padinë e plotë të Hazizajt, që është botuar nga gazeta “Albania”.
box
Ministri paditet nga i mituri
Roxhers Durda, 12-vjeçari nga Gërdeci, rreth dy javë më parë u shpreh para Gjykatës së Lartë se nuk kishte ndërmend ta falte ministrin Fatmir Mediu për tragjedinë e 15 marsit të vitit 2008. Seanca në Gjykatën e Lartë përballi për më shumë se tri orë të dëmtuarin dhe ish-ministrin e Mbrojtjes, Fatmir Mediu. Vendimi i të miturit për t’i shkuar deri në fund procesit e përfshin zyrtarin e lartë në një padi ndryshe nga herët e tjera. I mituri humbi në tragjedi nënën, banesën dhe personalisht mori plagë të shumta në trup. Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu, i ndjekur nga avokatët e tij Ardian Visha dhe Petrit Serjani, hyri në heshtje dhe doli po me të njëjtin qëndrim në mesditë nga ambientet e Gjykatës së Lartë, duke mos dhënë asnjë deklaratë për mediat. Në seancën e pajtimit mësohet se Mediu i ka shprehur keqardhjen e tij paditësit të mitur Roxhers Durda për gjithë sa ka ndodhur në tragjedinë e rëndë të Gërdecit. Por, për të miturin, kjo keqardhje pas dy viteve ka qenë e pamjaftueshme, pasi mungesa e nënës dhe plagët që ka marrë ia bëjnë të vështirë ta harrojë ditën e 15 marsit.
Padia e fëmijës
Mes padive të banorëve të Gërdecit ndaj ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, dy ditë më parë është shtuar edhe padia e një 10-vjeçari. I mituri R. Durdaj, në këtë proces civil do të përfaqësohet nga i ati i tij, Rigon Durdaj. Djali kërkon nga Drejtësia ta ndëshkojë ish-ministrin për shkak të plagëve që ka marrë ditën e tragjedisë më 15 mars të vitit 2088. “Më datë 15.03.2008, rreth orës 12:00, në fshatin Gërdec të bashkisë Vorë, dhe pikërisht në një fabrikë që çmontonte municionet luftarake, ka ndodhur një shpërthim i fuqishëm gjatë të cilit kanë humbur jetën 26 viktima, si dhe kanë pësuar dëme në shëndet shumë persona të tjerë, ndërmjet të cilëve edhe kërkuesi, i cili ka marrë ndihmë mjekësore dhe është trajtuar në QSUT-në ‘Nënë Tereza’. Hetimi i kësaj ngjarjeje tragjike vërtetoi një numër të madh pasojash që kanë ardhur si rezultat i një seri shpërthimesh të ndodhura në ish-repartin e tankeve në Gërdec, i cili i ishte dhënë nga Ministria e Mbrojtjes një shoqërie private për kryerjen e proceseve të çmontimit industrial të municioneve. Shpërthimet masive kanë shkaktuar dëmtime shumë të rënda të interesave të shtetit dhe të shtetasve, duke krijuar një situatë tejet të rëndë social - ekonomike dhe duke dëmtuar sigurinë në gjithë rajonin që preku kjo ngjarje. Përveç viktimave dhe plagosjeve, kjo ngjarje ka cenuar rëndë një sërë interesash të tjera të shtetit dhe të shoqërisë, siç janë: cenimi i rendit dhe i sigurisë në rajonin që përfshiu ngjarja, si dhe dëmtimin e imazhit të shtetit në raport me komunitetin/shoqërinë dhe më gjerë”, - shkruhet në padinë e 11-vjeçarit.
box
Pasojat që solli tragjedia e Gërdecit
27 persona të plagosur rëndë, të përshkruar në aneksin nr. 1, bashkëlidhur.
109 persona të plagosur lehtë nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 2, bashkëlidhur.
67 persona me dëmtime të tjera të lehta nga kjo vepër penale, të përshkruar në aneksin nr. 3, bashkëlidhur.
61 persona të tjerë të trajtuar në spitale, për të cilët nuk është mundësuar përcaktimi i shkallës së dëmtimit, të përshkruar në aneksin nr. 4, bashkëlidhur.
5829 personave u është shkaktuar dëm material në vlerë 2 141 343 616 lekë, nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv, që përfaqësojnë shkatërrime dhe dëmtime banesa, biznese, orendi të tyre, 13 ferma bujqësore dhe blegtorale, të përshkruar në aneksin nr.5, bashkëlidhur. Kjo vlerë dëmi është kompensuar nga shteti dhe interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 102 500 000 lekë nga vepra penale e shkatërrimit të pronës me eksploziv që përfshin shkatërrimin dhe dëmtimin e objekteve sociale, shkollave, zyrave dhe orendive të tyre, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
Shtetit i është shkaktuar dëm material në vlerë 1 323 600 354 lekë nga veprat penale të shpërdorimit të detyrës, që përfaqësojnë pasuri në administrim të Ministrisë së Mbrojtjes dhe Forcave të Armatosura, interesat e të cilit përfaqësohen nga Avokati i Shtetit.
Gërdeci
Procesi, dështon seanca, mungojnë sërish avokatët
Procesi për Gërdecin që po zhvillohet në Gjykatën e Shkallës së Parë sërish është shtyrë dje për të njëjtën arsye si të premten e shkuar. Mungesa e disa avokatëve e detyroi trupin gjykues që të caktonte seancën e radhës për të premten e kësaj jave. Me gjithë debatin mes avokatëve dhe trupit gjykues për ta lënë këtë proces vetëm një herë në javë, kryetari Ridvan Hado u kujtoi avokatëve se për të gjitha mungesat e paarsyetuara do t’u shkonte shkresë në Dhomën Kombëtare të Avokatisë. Në seancën e djeshme pritej të dëshmonin gjashtë dëshmitarë, të cilëve iu komunikua se duhet të paraqiteshin sërish në Gjykatë seancën e radhës.
16 Shkurt 2010