E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti Topi pret ambasadorin e ri turk

04/09/2009  Paraqitja e letrave kredenciale

Presidenti i Republikës, Bamir Topi, priti dje ambasadorin e Turqisë në vendin tonë, Hasan Sevilir Asan, me rastin e paraqitjes së letrave kredenciale. Kreu i shtetit prezantoi zhvillimet e brendshme në vend dhe arritjet e politikës sonë të jashtme, ku nënvizoi anëtarësimin e vendit në NATO dhe kandidimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Presidenti Topi vlerësoi përkrahjen dhe ndihmën e madhe që Turqia i ka dhënë Shqipërisë gjatë gjithë procesit drejt anëtarësimit të plotë në Aleancën e Atlantikut të Veriut, duke nënvizuar se Turqia ka qenë një mik i ngushtë i Shqipërisë dhe shqiptarëve e tashmë është partner strategjik i saj në rajon e më gjerë. Në këtë kuadër, Presidenti Topi theksoi rëndësinë e thellimit dhe zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona, po ashtu dhe në fusha të tjera me rëndësi prioritare për zhvillimin e vendit si atë të energjetikës, infrastrukturës, turizmit, telekomunikacionit etj. Nga ana e tij ambasadori Asan shprehu kënaqësinë e veçantë për këtë prezantim dhe takim me Presidentin Topi. Ai vuri në dukje përgjegjësinë dhe kënaqësinë për marrjen e kësaj detyre të lartë në Shqipëri, një vend me kulturë dhe traditë të hershme, me një popull vital me vlera dhe histori të lashtë, duke thënë se do të japë maksimumin e tij që marrëdhëniet mes Turqisë dhe Shqipërisë gjatë mandatit të tij diplomatik në vendin tonë të njohin vetëm ecuri progresive.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›