E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi kundër FMN për rritjen e taksave

Konfindustria, shpreh kundërshtimin e saj për propozimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar, të shprehur në takimin 3 palësh të ditëve të fundit, me përfaqësues të Ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për rritjen e taksave, si mënyrë për të plotësuar rënien e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit në 6-mujorin e parë të vitit 2011, në kushtet e rënies së rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare. Së pari, skenari i rritjes së taksave në kushtet e sotme do të thotë, që përveç pasojave të rënda sociale, do të shkaktojë uljen e mëtejshme të kërkesës së brendshme dhe fuqisë blerëse edhe kështu mjaft e ulët, duke rrezikuar seriozisht, që ekonomia kombëtare të hyj në një rreth të mbyllur, që vë në dyshim mundësitë dhe shpresat për rritje në të ardhmen. Të dhënat e 3-mujorit të parë të vitit 2011, flasin qartë për uljen e dukshme të treguesve të konsumit dhe mbështesin arsyetimin e mësipërm. Së dyti, rritja e taksave, në kushtet kur nevoja për tërheqjen e investimeve është e madhe në të gjithë vendet e rajonit, do të thotë drejtpërdrejt një ulje e forcës konkurruese të Shqipërisë në garën e ashpër në zhvillim e sipër ndërmjet vendeve të rajonit të Ballkanit Perëndimor, duke shtuar këtu edhe Greqinë e prekur rëndë nga kriza financiare, argumenton Konfindustria. Së treti, ndryshimi kaq i shpejtë në pak vite, me drejtim rritje të nivelit të taksave në Shqipëri, i propozuar nga FMN, do të ishte një sinjal negativ për investitorët e vendit dhe të huaj për qëndrueshmërinë e politikave fiskale të qeverisë shqiptare me pasoja të rënda në afatgjatë për ekonominë kombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›