Ulja e borxhit, qeveria sytë nga bankat arabe
Për të mundësuar një përdorim sa më efektiv të borxhit dhe për uljen e kostos së tij, Ministria e Financave ka planifikuar që disa projekte të mëdha të infrastrukturës t’i financojë me borxh. Sipas Drejtorisë së Përgjithshme të Borxhit në Ministrinë e Financave, përpjekjet për të maksimizuar financimin e projekteve prioritare me kredi zhvillimi afatgjata, kanë ruajtur të pandryshuar intensitetin e investimeve të bankave për kreditimin e ekonomisë së brendshme. Kështu sipas financave, financimi i projekteve me kredi afatgjata siguron, jo vetëm terma me të butë financimi, por edhe reduktim të riskut të rifinancimit, si rezultat i maturitetit më të gjatë. Vetëm këtë vit Ministri Bode nënshkroi me bankat dhe fondet arabe më shumë se 250 milionë dollarë kredi afatagjata me terma mjaft të favorshëm. Maturiteti i huave, të cilat do të përdoren për ndërtimin e rrugës së re Tiranë-Elbasan, është mbi 20 vite dhe me interesa 2-6 për qind. Burimet në Ministrinë e Financave thanë, pas krizës financiare të vitit 2008, gjeografia e likuiditeteve ka ndryshuar. Bankat në Lindjen e Mesme edhe për shkak të strukturës ndryshe, në të cilën ndodhet ekonomia e tyre kanë më shumë likuiditete të lira se, bankat në Europë dhe rajone të tjera. Nisur nga kjo situatë, qeveria shqiptare dhe konkretisht Ministria e Financave ka rritur kontaktet me bankat arabe, për të siguruar kredi me interesa të buta dhe afat më të gjata kthimi. Fondi Saudit për Zhvillim financoi 25 milionë USD kredi, për ndërtimin e rrugës së re Tiranë- Elbasan pak ditë më parë me interes 2 për qind dhe me afat kthimi 25 vite. Ndërsa vetëm disa javë më parë, Banka islamike për Zhvillim financoi me një grup tjetër bankash dhe fondesh, 222.7 milionë USD, po për rrugën e re të Elbasanit. Ndërsa Drejtoria e Borxhit në Ministrinë e Financave bën të ditur se, edhe për vitin 2011 fokusi i huamarrjes nga jashtë do të mbetet në sigurimin e mbështetjes për investimet afatgjata, për ndërtimin dhe përmirësimin e infrastrukturës. Të njëjtat burime bëjnë me dije se, bankat ndërkombëtare të zhvillimit vazhdojnë të shfaqin interes të lartë për të financuar projektet e Qeverisë shqiptare. Përveç institucioneve me histori të gjatë në vendin tonë si Banka Botërore, KfW, Kooperacioni italian, BERZH, BEI, dhe EEB, interes të lartë kanë shfaqur edhe institucionet financiare arabe, qeveria austriake,
japoneze, etj. “Përsa i përket aktivitetit në tregjet ndërkombëtare të kapitalit, duhet theksuar që emetimi i Eurobond-it debutues pati një rëndësi të veçantë, jo vetëm sepse shërbeu për uljen e kostos së shërbimit të borxhit, por mbi të gjitha sepse e bëri vendin tonë pjesë të bursave ndërkombëtare, duke shërbyer kështu si benchmark orientues për emetime të ardhshme” bën të ditur Drejtoria e Përgjithshme e Borxhit. Sipas të njëjtave burime, institucionet financiare ndërkombëtare vazhdojnë të mbetën të interesuara për ndonjë emetim të ardhshëm, por në stadin aktual, në përputhje edhe me strategjinë e re të borxhit, nuk ka plane specifike për t’iu drejtuar sërish tregjeve të borxhit sovran në vitin 2011. Stoku i borxhit të jashtëm, i kontraktuar me interesa tregtare, ka pësuar një rritje në raport me stokun e borxhit me interesa koncesionare. Kjo rritje është rrjedhojë e nënshkrimit të financimeve të huaja, me interesa me pak koncesionale deri në tregtare, për arsye të kualifikimit të ekonomisë shqiptare si një ekonomi me të ardhura mesatare. Kreditë e reja të nënshkruara me interesa tregtare ndikojnë në stokun e borxhit të jashtëm, duke influencuar trendin e rritjes së tij që nga viti 2006. Kështu, raportet prej 63% koncesional dhe 37% jokoncesional në vitin 2008 janë konvertuar në 54% koncesional dhe 46 % jokoncesional në tremujorin e tretë të 2010, duke treguar qartë orientimin e financimit të projekteve të huaja me interesa jokoncesionale. Sipas ekspertëve, ky orientim jep efekte të drejtpërdrejta në rritjen e shërbimit të borxhit të jashtëm.