Biznesi kundër idesë së rritjes së taksave si zgjidhje fiskale
TIRANE- Ndërkohë që ekspertët shprehen me terma të ekuilibruar në disfavor të uljes së shpenzimeve buxhetore, biznesi shprehet në mënyrë të ashpër kundër idesë së rritjes së taksave. Konfindustria ka deklaruar dje se shpreh kundërshtimin e saj për propozimin e FMN-së në takimet e ditëve të fundit me përfaqësues të ministrisë së Financave dhe Bankës së Shqipërisë për rritjen e taksave, si mënyrë për të plotësuar rënien e të ardhurave fiskale në buxhetin e shtetit në 6-mujorin e parë të vitit 2011, në kushtet e rënies së rendimentit fiskal të ekonomisë shqiptare. "Skenari i rritjes së taksave në kushtet e sotme do të thotë që, përveç pasojave të rënda sociale, do të shkaktonte uljen e mëtejshme të kërkesës së brendshme dhe fuqisë blerëse edhe kështu mjaft e ulët, duke rrezikuar seriozisht që ekonomia kombëtare të hyjë në një rreth të mbyllur, që vë në dyshim mundësitë dhe shpresat për rritje në të ardhmen", theksojnë përfaqësuesit e saj. Të dhënat e muajve të parë të vitit 2011 flasin qartë për uljen e dukshme të treguesve të konsumit dhe mbështesin arsyetimin e mësipërm. Nga ana tjetër, rritja e taksave në kushtet kur nevoja për tërheqjen e investimeve është e madhe në të gjithë vendet e rajonit do të thotë drejtpërdrejt një ulje të forcës konkurruese të. Po kështu, ndryshimi kaq i shpejtë në pak vite me drejtim rritje i nivelit të taksave do të ishte një sinjal negativ për qëndrueshmërinë e politikave fiskale të qeverisë.
(GSH/BalkanWeb)
(GSH/BalkanWeb)