Biznesi kundërshton ndryshimet në paketën fiskale
Ministria e Financave të tregojë destinacionin e taksave të mbledhura për mbrojtjen e mjedisit deri tani, pasi ajo nuk ka qenë transparente në këtë drejtim. Ky ka qenë reagimi i Kreut të Dhomës së Tregtisë dhe industrisë Tiranë, Nikolin Jaka, në takimin e djeshëm të Këshillit Konsultativ të Biznesit në lidhje me rritjen e akcizës së karbonit dhe karburantit, pjesë e ndryshimeve të paketës fiskale që pritet të kalojë në kuvend. Jaka kërkoi që të shqyrtohet dhe të zerohet akciza për karbonin sepse nuk nxit biznesin, por e tkurr atë. “Mund të jap shembullin e kompanisë së çimentos ‘Ceament’, e cila ka mbledhur bordin për të shqyrtuar vazhdimin ose jo të investimit në Shqipëri, pikërisht për akcizën e karbonit, pasi ajo rëndon koston. Duhet të kemi parasysh përafrimin e taksave me BE” - u shpreh Jaka. Gjithashtu, në emër të komunitetit të biznesit, ai u shpreh se edhe ndryshimi i akcizës së birrës është diskriminues duke favorizuar prodhuesit e vegjël vendas, të cilët në të shumtën e rasteve janë të pacertifikuar, ndërkohë që nuk promovon bizneset e mëdha prodhuese të birrës. Në të njëjtën kohë, Jaka vërejti dhe kundërshtoi akcizën e rritur në ndryshimet e paketës fiskale të karburanteve. Ai këmbënguli se taksa e karbonit do ta rëndojë shumë biznesin prodhues vendas dhe për individët, duke qenë se kjo taksë do të çojë në rritjen direkte të çmimit të karburanteve. “Vendi ynë ka çmimet më të larta përsa i përket karburanteve. Aktualisht, një litër naftë tek ne kushton 1,4 euro, ndërsa në Nigeri vetëm 0,4 cent. Politikat e ndërmarra duhet të drejtohen drejt prodhimit vendas”, - u shpreh Jaka. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi shtyrjen e mbledhjes pasi koha për të reflektuar komuniteti i biznesit mbi ndryshimet ka qenë e pamjaftueshme. Ndërsa, zv.ministri i Financave Alfred Rushaj sqaroi se dikasteri ku ai punon ka ndërmarrë përherë politika në ndihmë të biznesit. “Kemi ulur akcizën e birrës 3 herë. Ata që prodhojnë nga 70,000 hektolitra në vit paguajnë akcizë 10 lekë/litër, ndërsa ata që prodhojnë nga 70,001 deri në 200,000 hektolitra në vit do të paguajnë një taksë prej 12 lekë/litër dhe për mbi 200 000 ketolitra 15 lekë/litër. Ministria e Financave dhe qeveria shqiptare kanë finalizuar projektin për vendosjen e pullave fiskale tek pijet alkoolike, ku përfshihen dhe birrat, përveçse duhanit dhe ilaçeve, ne gjykojmë që ky projekt do të sillte në mënyrë të menjëhershme një informalizim të këtij tregu, për rrjedhojë duke rishikuar një mënyrë drastike akcizat që paguan si në import, ashtu edhe brenda vendit, buxheti i shtetit duhet të kishte efekte pozitive, në mënyrë që të kishte efekte negative nga ulja e akcizës për birrën. Ulja e nivelit të akcizës së birrës është drejtpërdrejtë e lidhur me implementimin e këtij projekti shumë të rëndësishëm për formalizimin e këtij tregu”, – tha Rushaj. Duke iu referuar akcizës për lëndët djegëse, ai sqaroi se ndryshimet në ligj parashikojnë rimbursimin automatik. “Pra industritë prodhuese që përfitojnë nga rimbursimi i akcizës do ta bëjë këtë në mënyrë automatike në muajin pasardhës me të gjitha detyrimet që këto industri do të paguanin, duke iu referuar TVSH-së, akcizës së vet, tatimfitimit, etj.” - vijoi ai. Por presidenti i “Business Albania”, Luan Bregasi, kundërshtoi zv.ministrin Rushaj, duke theksuar se rimbursimi nuk është gjë tjetër vetëm një mënyrë për të rritur borxhin e administratës tatimore ndaj biznesit. Sipas tij, reformat fiskale duhet të jenë të thella dhe kombëtare, jo në industri të caktuara.