E Shtunë, 31 Tetor 2026

Fasonistët: Të zgjerohet tregu për përfitimin nga ligji

Industria fasone e ka përshëndetur nismën e financave për heqjen e taksës doganore për veshjet e gatshme dhe lëndët e para për konfeksionet. Por, sipas tyre, kjo nismë duhet të funksionojë edhe për shitjen në tregun vendas dhe gjithashtu të zgjerohet tregu ku mund të furnizohen me veshje dhe lëndë të parë. Sipas përfaqësuesit të fasonistëve, Flamur Hoxhës, në mbledhjen e Këshillit Konsultativ të Biznesit për diskutimin e ndryshimeve në paketën fiskale, ky komunitet biznesi do të ndërmarrë një nismë ligjore për lehtësinë e biznesit vendas e gjithashtu ky ligj të parashikojë edhe lëkurën e këpucëve. Sipas përfaqësueses së biznesit të këpucëve, tregu nuk mund të kufizohet vetëm në BE sepse ndryshimi i ligjit nuk do të kishte vlerë, pasi sipas saj nga njëra anë zerohet akciza dhe nga ana tjetër rritet kostoja e lëndës së parë. Përfaqësuesja e biznesit të këpucëve argumentoi se lënda e parë që ajo përdor me çmim të arsyeshëm gjendet në Rusi, etj, shtete që nuk janë pjesë e BE-së. Zv. ministri Rushaj theksoi se për lëkurën e këpucëve ligji do të rishikohet më vonë. Ndërsa zv.ministri i Ekonomisë, Enno Bozdo theksoi se më 1 gusht hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë me Turqinë, ndërsa brenda 2011-ës hyn në fuqi marrëveshja e tregtisë së lirë me vendet e CEFT-as, EFT-as, Pan Mediteran, Lindjen e Mesme, Afrikën Veriore dhe në këtë mënyrë shkëmbimet tregtare do të bëhen pa tarifë doganore, sipas ligjit dhe mbi të gjitha do të lindë mundësia e përfitimit të certifikatës së origjinës për të qenë konkurrues me eksportet. Ndërsa, Ilir Zhilla, përfaqësues i Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe industrisë së Shqipërisë. përshëndeti iniciativat ligjore të Qeverisë dhe theksoi se zerimi i taksës doganore është një risi për sistemin shqiptar të tatim – taksave. Kurse, Zenel Hoxha, përfaqësues i Dhomës së Tregtisë Shqipëri – Britani, vuri në dukje se këto nisma ligjore i japin më shumë mundësi bizneseve shqiptare që të dalin në tregjet rajonale e globale me logon “Made in Albania”.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›