Taksat e reja të makinave nuk mbivendosin amnistinë
Ligji i ri për taksat e makinave nuk e mbivendos ligjin për amnistinë fiskale, për makinat që nuk e kanë paguar ende doganën. Sqarimin në lidhje me zbatimin e dy prej ligjeve më të rëndësishme fiskale në vend dhe që kanë të bëjnë me taksimin e automjeteve, e ka dhënë dje zv.ministri i Financave Alfred Rushaj. “Në bazë të ligjit të amnistisë, të gjithë shtetasit, të cilët deri në fund të vitit 2010, kanë futur në Shqipëri, automjete dhe për to nuk kanë paguar detyrimet doganore, në rast se, paguajnë 50 për qind të detyrimit ndaj kësaj administrate u falen pjesa tjetër e principalit së bashku me gjobat dhe kamatëvonesat, që do të paguanin. Të gjithë këta shtetas kanë afat deri më 31 dhjetor të këtij viti ta paguajnë 50% e detyrimit doganor”, sqaroi dje zyrtari i lartë i financave. Sipas tij, draft ligji i ri i taksimit të makinave nuk ka lidhje me ligjin e faljes. Në këtë draft nuk falet asnjë taksë, por prezantohet një mënyrë e ndryshme e taksimit të makinave, i cili do të ketë efekt mbi makinat dhe transaksionet e makinave, pas hyrjes në fuqi të ligjit të ri. “Theksojmë se, të gjithë qytetarët të cilët importojnë makina apo shesin sot makina, do të taksohen me taksat ekzistuese. Të gjithë ata të cilët kanë importuar makina deri në dhjetor të vitit 2010, u falen të gjithë borxhet ndaj administratës doganore, me kusht që të paguajnë 50 për qind të tatimit”, ka sqaruar me tej Rushaj. Amnistia fiskale, e miratuar nga Kuvendi i Shqipërisë, parashikon faljen e detyrimeve të papaguara jo vetëm për bizneset dhe individët në raport me taksat kombëtare, por edhe ato vendore, si tarifat që paguhen një herë në vit për automjetet. Sipas ekspertëve të Ministrisë së Financave, "amnistia fiskale parashikon faljen e detyrimeve dhe fshirjen e gjobave deri më 31 dhjetor 2010". Në ligjin për amnistinë thuhet "falen taksat e papaguara për makinat dhe gjobat e makinave, si dhe detyrimet për pagimin e detyrimeve doganore për makinat e importuara deri në fund të vitit 2010, u falen së bashku gjobat dhe interesat, nëse do të paguhet 50% e principalit të detyrimit që ata kanë ndaj organit doganor". Ndërsa projektligji i ri për taksat e makinave që është në proces miratimi dhe pritet të kalojë shumë shpjet në qeveri, e më pas në Kuvend, nuk mbivendos projektligjin për amnistinë fiskale që përfshin edhe gjobat për makinat dhe taksat e papaguara. Ky projekt parashikon që taksa vjetore e qarkullimit dhe ajo e regjistrimit janë transferuar te karburantet, akciza e të cilave është rritur. Kështu taksa e re qarkullimit do të jetë një taksë fikse, për litër mbi gazoilin dhe benzinën, të importuara apo të prodhuara në vend, në masën 5 lekë për litër, deri në datën 31.12.2011 dhe duke filluar nga 1 janar 2012, masa e kësaj takse do të jetë 7 lekë për litër për benzinën dhe gazoilin. Ndërsa taksa e karbonit, që është aktualisht mbi benzinën në masën 1,5 lekë/litri dhe gazoilin në masën 3 lek/litri, do të aplikohet edhe mbi disa kategori të reja nënproduktesh nafte, mbi vajgurin, solarin, mazutin dhe koks nafte. Në këtë mënyrë do të kemi: Taksa e karbonit do të aplikohet mbi prodhimin vendas dhe importin e këtyre nënprodukteve të naftës. Kështu gazoil taksohet me 3 lekë për litër. Benzina me 1.5 lekë për litër, solar dhe mazut me 3 lekë për litër, vajguri 3 lekë për litër dhe koks naftë me 3 lekë për kg. Taksa e regjistrimit të përvitshëm (taksë vendore) dhe taksa e qarkullimit të përvitshëm të makinave (taksë kombëtare) janë taksa të cilat aplikohen në bazë të parimit të shfrytëzimit/përdorimit të infrastrukturës rrugore dhe të ardhurat prej tyre shkojnë në programet investuese të infrastrukturës rrugore. Masa e taksës përcaktohet bazuar në tipin e mjetit dhe ndarë: në rastin e makinave të pasagjerëve diferencohet në bazë të numrit të vendeve dhe llojit të karburantit, në rastin e makinave të rënda diferencohet në bazë të peshës. Këto dy taksa paguhen në momentin e kolaudimit të makinës. Dy taksat e tjera (taksa e makinave të përdorura dhe taksa e karbonit) janë taksa të cilat paguhen për efekt të ndotjes së ambientit.