E Diel, 1 Nëntor 2026

Projekti, Shoqëritë aksionere, 3 mln e 500 mijë lekë kapital për t’u regjistruar në QKR

Një shoqëri aksionere me ofertë private në territorin e Shqipërisë gjatë regjistrimit në Qendrën Kombëtare të Biznesit nuk mund të ketë një kapital me vlerë më të vogël se 3 500 000 lekë. Ky është ndryshimi thelbësor i propozuar nga Ministria e Ekonomisë për Ligjin nr.9901, datë 14.04.2008 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare”. Problemi që merret në shqyrtim është se, Neni 107 i ligjit nr. 9901, datë 14.04.2011 “Për tregtarët dhe shoqëritë tregtare” parashikon të njëjtat kërkesa ligjore për kapitalin minimal sikurse dhe ligji i vjetër nr. 7638. Vlerat e parashikuara në këtë nen, 2 milionë lekë (rreth 16 000 €) për shoqëritë aksionare me ofertë private dhe 10 milion lekë (rreth 75 000 €) për ato me ofertë publike janë disi më të larta krahasuar me vendet e tjera të rajonit. Megjithatë ato nuk i përmbushin kërkesat për kapitalin minimal, të parashikuara nga Neni 6 (1) i Direktivës 77/91/EEC lidhur me kapitalin minimal, nen i cili parashikon shumën e 25000 eurove për krijimin e SH.A-ve me ofertë private. Synimi i projekt-ligjit është të ofrojë një kuadër ligjor bashkëkohor, të qartë dhe të përditësuar, në përputhje të plotë me Direktivat e BE-së për shoqëritë tregtare. Objektivat që kërkon të arrijë janë zbatimi i Legjislacionit të BE-së për Shoqëritë Tregtare dhe përmbushja e kërkesave të MSA-së, si dhe kërkesave të tjera që burojnë nga zhvillimi ndërkombëtar në këtë fushë. Duke iu referuar ndryshimeve të ligjit në fjalë, shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, që janë themeluar përpara hyrjes në fuqi të këtij ligji, janë të detyruara të përfundojnë procedurat për regjistrimin e rritjes së kapitalit, të paktën deri në shumën e përcaktuar sipas nenit 1, të këtij ligji, brenda 1 viti pas hyrjes së tij në fuqi. Ndërsa, shoqëritë aksionare ekzistuese, me ofertë private, të cilat nuk përmbushin detyrimin për të rritur kapitalin sipas pikës 1, të këtij neni, vlerësohen të prishura dhe çregjistrohen nga Qendra Kombëtare e Regjistrimit, pas përfundimit të procedurës së zbatueshme të likuidimit. Ndryshimet në këtë ligj, i propozoi dje drejtori në Ministrinë e Ekonomisë, Bashkim Sykja. Ligji i ri nuk ka asnjë ndikim mbi shpenzimet dhe të ardhurat publike.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›