E Diel, 1 Nëntor 2026

Subvencioni per strehim perfitojne me kredi 1100 familje

Rreth 1 mijë e 100 familje kanë përfituar subvencion nga qeveria për kreditë e marra për qëllime strehimi. Skema funksionon që prej një viti dhe është e ndryshme nga ajo për banesat sociale. Kreditë jepen nga bankat private dhe është ministria e Financave që subvencionon një pjesë të interesit.

“Projekti që kemi me një bankë private adreson një kategori familjesh me një nivel më të lartë të ardhurash të cilat mund të përballojnë shlyerjen e një kredie të subvencionuar. Ky projekt ka filluar të zbatohet në 2009-ën dhe deri tani janë rreth 1100 kontrata të lidhura”, tha Doris Andoni, drejtore e politikave të Strehimit, MPPTT.

Qeveria patrashikon që të subvencionojë rreth 6 mijë kredi në ndihmë të të pastrehëve. Për albanian Screen, drejtuesja e Politikave për këtë qëllim, thotë se kjo skemë është më e suksesshme se ajo e banesave sociale.
“është llogaritur një shifër e përafërt, rreth 6 mijë kontrata që mund të lidhen nëpërmjet kësaj skeme, por sigurisht ne gjatë zbatimit të projektit, shohim ecurinë e këtij të fundit, shohim edhe se si ecën përdorimi i kredisë. është një projekt që jep rezultate të menjëhershme. Pra, nëse e krahasojmë me projektin tjetër të banesave sociale, për një periudhë tre vjeçare ende nuk kemi arritur të strehohen 1100 familje, në një kohë që më ketë projekt rezultati është i menjëhershëm”, theksoi Andoni.

Që prej vitit 2008, në 7 bashki po punohet me një tjetër projekt që është ai i për ndërtimin e rreth 1130 banesave sociale. Deri më tani vetëm në Berat janë strehuar 48 familje. Në Tiranë, Durrës, Elbasan, Korçë, Kavajë dhe Peshkopi ende nuk ka përfunduar ndërtimi i plotë i godinave.

Florian Papadhimitri

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›