Biznesi, përballë problemit të ndryshimeve të ligjeve fiskale
Analizë
Prof. Dr. Fatmir MEMAJ
Dr. Zef PREÇI
Ndryshimet e shpeshta dhe mungesa e informacionit apo marrja me vonesë e tij ka sjellë jo vetëm problemin e mosrespektimit të legjislacionit nga ana e bizneseve, por edhe probleme në marrëdhëniet jokorrekte midis bizneseve dhe punonjësve të administratës tatimore, duke favorizuar mundësitë për mitëmarrje dhe korrupsion. Bizneset theksojnë se ligjet dhe rregulloret në lidhje me të ardhurat nga taksat dhe detyrimet jotatimore janë shpesh kontradiktore dhe rekomandojnë përmirësimin e procesit të konsultimeve, duke marrë në konsideratë mendimin e komunitetit të biznesit. Opinioni i komunitetit të biznesit është gjithashtu i rëndësishëm për ndërtimin e besimit reciprok midis partnerëve. Një faktor tjetër që sjell ndikim negativ në marrëdhëniet mes tyre është profesionalizmi i ulët i disa prej punonjësve të administratës fiskale.
Në këto kushte, bizneset mendojnë se ndryshimet në legjislacionin fiskal duhet të jenë jo të shpeshta dhe sektorit privat ato duhet ti bëhen të njohura në kohën e duhur. Çdo ndryshim në legjislacionin fiskal duhet të jetë në axhendën e institucioneve të paktën 1 vit para se të miratohet dhe duhet të ketë konsultime të shpeshta me grupet e interesit, veçanërisht të komunitetit e biznesit. Ligjet fiskale duhet të ndryshojnë jo më shumë se dy herë në vit. Ndryshimet në kuadrin fiskal duhet të bëhen për një afat të gjatë kohor dhe çdo ligj i ri i miratuar në Parlament, duhet ti bëhet i njohur paraprakisht komunitetit të biznesit.
Organet tatimore duhet të sigurojnë qasje në informacion për kompanitë private dhe për ti informuar ato në kohë për çdo ndryshim të detyrimeve tatimore. Transparenca midis administratës tatimore dhe sektorit privat duhet të rritet. Zyrat publike duhet të zhvillojnë fushatë sensibilizuese për të informuar palët e interesuara në lidhje me ndryshimet e bëra. Fushata nuk duhet të konsistojë vetëm te botimi i ndryshimeve në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, por edhe përmes mediave, emisioneve të lajmeve etj.
Shoqatat e biznesit duhet të jenë më të organizuara dhe të investojnë në përmirësimin e procedurave të zgjedhjeve (ose përzgjedhjes) në lidhje me përfaqësuesit e biznesit në institucionet publike, në mënyrë që këta përfaqësues të bëjnë informimin në kohë të bizneseve lidhur me ndryshimet në legjislacionin fiskal. Njëkohësisht duhet të reduktohet edhe procedura e deklarimit të falimentimit për një biznes.
Është e nevojshme një konsultim më efektiv dhe më i shpeshtë midis komunitetit të biznesit dhe politikanëve që merren me problemet fiskale për të shmangur kontradiktat brenda legjislacionit fiskal. Ky konsultim është gjithashtu i nevojshëm edhe midis komunitetit të biznesit dhe punonjësve të administratës tatimore, në mënyrë që të dyja palët të arrijnë në të njëjtin mendim apo “marrëveshjeve” për ndryshimet aktuale në legjislacion dhe ato në të ardhmen. Kjo nuk çon vetëm në forcimin e marrëdhënieve dhe besimit të tyre reciprok, por edhe në përmirësimin e marrëdhënieve të tyre me politikëbërësit. Urat e komunikimit midis komunitetit të biznesit dhe administratës fiskale duhet të vendosen në një kuadër institucional.
Është e nevojshme rritja e transparencës dhe njohja e legjislacionit. Regjistri elektronik për Legjislacionin e Biznesit: www.rlb.gov.al duhet të promovohet më mirë tek komuniteti i biznesit, përmes transmetimit në media dhe komunikimit në internet me anë të shoqatave të biznesit, dhomave të tregtisë dhe industrisë, si dhe institucioneve të tjera publike, mediave, OJF-ve etj. Gjithashtu, nuk duhet të përjashtohen edhe konsultimet të cilat ndihmojnë në këtë drejtim.
Një faktor i rëndësishëm është përmirësimi i kapaciteteve të punonjësve të administratës tatimore në mënyrë që ata ti përgjigjen kërkesave të biznesit. Kjo gjë është e nevojshme për arsye se shmang politizimin e tyre, përmirëson procedurat e rekrutimit dhe të shkarkimit dhe gjithashtu krijon mundësinë për të organizuar trajnime më të shpeshta për ta.
Biznesi, përballë problemit të ndryshimeve të ligjeve fiskale burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip