E Diel, 1 Nëntor 2026

Biznesi prodhues rrëzohet me 6,5% në 6 muaj, deficiti thellohet me 1,6 herë

Sektori më i rëndësishëm i ekonomisë së vendit sa takon peshës që zë në eksporte, industria e përpunimit ka rënë me 6.5 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, tha dje Banka e Shqipërisë. Industria përpunuese zë rreth 63 për qind të peshës së eksporteve të vendit tonë ose e thënë në vlerë parash ajo zë rreth 260 milionë euro. Ndikimin më të ndjeshëm në këtë rënie e ka dhënë grupmalli “këpucë e artikujt e tyre” duke u vlerësuar 11.2 për qind më i ulët se gjashtëmujori i parë i vitit 2007. Ndërkohë që grupmalli “tekstile dhe artikujt e tyre” ka humbur 4 pikë përfaqësimi krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke u vlerësuar 43.4 për qind ndaj totalit të eksporteve. Kjo është pa diskutim një nga të dhënat më të këqija për ekonominë, ku ajo pjesë e vetme e saj që prodhon dhe që eksporton po zbehet. Ekonomia shqiptare pikën e saj më të dobët ka prodhimin vendas dhe qeveria e tashme ka kohë që po përpiqet të gjejë mënyra duke ndryshuar legjislacionin fiskal, duke rishikuar dhëniet e lejeve, duke folur për stimuj të ndryshëm ndaj këtij biznesi. Që të gjitha këto përpjekje në fakt kanë qenë vetëm në letra, pasi efekti ka qenë krejt tjetër. Deficiti tregtar i vendit, tha Banka e Shqipërisë, është acaruar edhe më tepër gjatë gjashtë muajve të parë të këtij viti, duke e bërë të papërballueshëm mbulimin e tij. Është e dukshme se politikat për të ripërtëritur biznesin dhe prodhimin vendas kanë dështuar dhe tashmë edhe ajo që ishte po rrëzohet. Shqipëria është vizatuar ndryshe nga qeveria, është vizatuar si një vend që po lulëzon dhe që biznesi po rritet e bashkë me të edhe prodhimi vendas, eksportet po ashtu, por ndërkohë të dhënat tregojnë të kundërtën. Numri i punonjësve nuk është rritur më shumë sesa me 1 mijë syresh në vit, deficiti është thelluar, biznesi prodhues ka rënë me 6,5 për qind në gjashtë muaj, pagat në sektorin kanë mbetur ato të para 4 viteve dhe tashmë janë 34 për qind më të ulëta sesa në sektorin buxhetor, ndërkohë që çmimet janë rritur. Banka e Shqipërisë tha dje se në terma absolutë, të ardhurat nga eksportet në fund të gjashtëmujorit të parë të vitit 2008 kanë arritur vlerën e 465.6 milionë eurove, ndërkohë që 1.65 miliardë euro janë shpenzuar për blerje mallrash. Baza e ulët e eksporteve mundi të mbulojë gjatë këtij gjashtëmujori rreth 28 për qind të shpenzimeve për importe, nivele këto që karakterizojnë tregtinë e jashtme të vendit gjatë viteve të fundit. Ajo që e bën më të dukshme gjendjen e vështirë të biznesit është rënia e importit të lëndëve të para, të cilat janë përqendruar kryesisht në tekstile, metale dhe lëkurat e papërpunuara. Shpenzimet për importe të metaleve dhe lëkurës kanë pësuar rënie prej 11 dhe 6 për qind, respektivisht. Këto të dhëna ka vite që janë pozitive dhe vetëm tani ato po kthehen në të anasjelltën e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›