E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rafi, njeriu që kërcënoi Diverolin në takimin me Pinarin dhe Delijorgjin

Geri Kokalari, përfaqësues i diasporës shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe i njohur si person aktiv për sa i përket informacioneve për skandalin e Gërdecit dhe aferën e armëve me AEY, i ka dërguar një letër Departamentit të Drejtësisë që më 29 maj të këtij viti, ku thekson se personi që ka kërcënuar Diverolin së bashku me Pinarin dhe Delijorgjin ka qenë Rrahman Saliu, mik i afërt me Shkëlzen Berishën, i dalë në skenë së fundi pas arrestimit të nipit të tij në Itali, që punonte si shofer i ambasadës shqiptare. Këto bëhen të ditura në një letër që ai i ka dërguar Prokurores së Përgjithshme, Ina Rama, dhe ku i kërkon të hetohet në lidhje me këtë skandal, duke zbardhur bisedat mes Saliu dhe nipit të tij, të arrestuar me kokainë në makinën me targa të Trupit Diplomatik.

Por Kokalari hedh dyshime të forta në lidhje me rolin e Rrahman Saliut, të njohur si Rafi, në skandalin e trafikut të armëve. “Diveroli dhe Alex Podrizki u sollën në një takim me Pinarin dhe Delijorgjin. Në këtë takim ishte dhe një person i pestë dhe ka patur spekulime se ai ka qenë djali i Sali Berishës. Por kam marrë informacione së fundi nga një burim se personi i pestë ishte Rrahman “Rafi” Saliu (ose Selmanllari). Më është thënë se në atë takim Diveroli është kërcënuar dhe i është thënë që të mos e lëkundë shumë anijen. Me sa duket, Saliu ishte atje për të përforcuar këtë mesazh. Saliu thuhet se është i afërm i familjes së Sali Berishës dhe njihet për marrëdhëniet e ngushta me Shkëlzen Berishën, djalin e Sali Berishës. Më kanë thënë gjithashtu se Saliu drejton disa kazino në Tiranë dhe Shkëlzeni është partneri i tij. Më kanë thënë gjithashtu se ai ka të paktën një tatuazh në dorë ose në krah dhe se Diveroli dhe/ose Podrizki janë në gjendje ta konfirmojnë këtë, edhe pse nuk mund t’i dinë emrin”, - thuhet në letrën e Kokalarit drejtuar Departamentit të Drejtësisë.

27 gusht

Për Ina Ramën,

Prokurore e Përgjithshme

Republika e Shqipërisë

Më poshtë ndodhen kopje të dy e mail-eve të mia të datës 6 gusht për ju dhe 29 maj, dërguar Departamentit amerikan të Drejtësisë në lidhje me Rrahman “Rafi” Saliu (i njohur dhe si Rafi Selmanllari) dhe dyshimeve se ai është i implikuar me aferën e AEY dhe Sali Berishën. Siç raportohet nga mediat shqiptare, Arsen Selmanllari, një shofer i ambasadës shqiptare në Romë, është arrestuar nga policia italiane për mbajtje të 1 kilogram kokaine që i është gjetur në makinën e tij me targa të Trupit Diplomatik. Jam informuar gjithashtu se Arsen Selmanllari është kushëri i parë i Rrahman “Rafi” Saliu/Selmanllari.

Një raport në median shqiptare pretendon se Arseni është emëruar në këtë pozicion si rezultat i rekomandimeve nga familja Berisha. A është ky informacion korrekt? Nëse është kështu, çfarë roli ka luajtur ministri i Jashtëm, Lulëzim Basha, aktualisht në hetim nga zyra juaj për korrupsion, në këtë aferë?

Nëse në këto dyshime gjendet ndonjë gjë esenciale, shqetësimi im në lidhje me Saliun bëhet më i thellë.

Megjithëse askush nuk mund të jetë fajtor për marrëdhëniet që ka, ku ka tym, ka edhe zjarr, ndaj këto marrëdhënie duhet të hetohen në mënyrë agresive nga zyra juaj. Një mënyrë e mirë për ta nisur duhet të jenë telefonatat mes Arsenit dhe Rafit.

Ju pyes sërish: A e keni intervistuar Rrahman “Rafi” Saliu/Selmanllari dhe ku ndodhet ai tani?

6 gusht

Për Ina Ramën

Prokurore e Përgjithshme

Republika e Shqipërisë

Një burim më ka informuar se Rrahman Saliu është marrë në pyetje nga zyra juaj dhe ka dhënë informacion në lidhje me marrëdhëniet me Berishën. Gjithashtu, kam mësuar se Saliu është larguar më pas nga vendi. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë pyetja është: Pse i është dhënë mundësia të largohet nga vendi?

Nëse ju e keni pyetur atë, si ka mundësi që ai ishte në gjendje që të largohej? Nëse nuk është pyetur, pse jo?

29 maj

Për Eloisa Fernandez dhe William Jacobson,

Departamenti i Drejtësisë

Siç dhe i kam bërë me dije qeverisë amerikane vitin e kaluar, Efraim Diveroli kishte kërkuar një takim me ministrin e Mbrojtjes së asokohe, Fatmir Mediu, për të sheshuar problemet që i kishin dalë në lidhje me prokurimin e municioneve nga qeveria shqiptare për t’u dërguar në Afganistan.

Mes çështjeve që Diveroli donte të diskutonte, ishte dhe kërkesa e Pinarit (ish-drejtor i MEICO, tashmë në burg), që Mihal Delijorgji të zëvendësojë Kosta Trebickën për të bërë ripaketimin e dërgesave me municion.

Takimi me Mediun u refuzua. Ndërkohë, Diveroli dhe Alex Podrizki u sollën në një takim me Pinarin dhe Delijorgjin. Në këtë takim ishte dhe një person i pestë dhe ka patur spekulime se ai ka qenë djali i Sali Berishës. Por kam marrë informacione së fundi nga një burim se personi i pestë ishte Rrahman “Rafi” Saliu (ose Selmanllari).

Më është thënë se në atë takim Diveroli është kërcënuar dhe i është thënë që të mos e lëkundë shumë anijen. Me sa duket, Saliu ishte atje për të përforcuar këtë mesazh.

Saliu thuhet se është i afërm i familjes së Sali Berishës dhe njihet për marrëdhëniet e ngushta me Shkëlzen Berishën, djalin e Sali Berishës. Më kanë thënë gjithashtu se Saliu drejton disa kazino në Tiranë dhe Shkëlzeni është partneri i tij. Më kanë thënë gjithashtu se ai ka të paktën një tatuazh në dorë ose në krah dhe se Diveroli dhe/ose Podrizki janë në gjendje ta konfirmojnë këtë, edhe pse nuk mund t’i dinë emrin.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›