Shumica e qeveritarëve të lartë mendojnë si shoferë ambasadash
Pavarësisht se për kë ka trafikuar drogë shoferi i ambasadës sonë, kjo përbën një skandal diplomatik të një lloji të veçantë, i cili nxjerr në dritë shumë të palara. Por, këtë shtet e ka marrë lumi, dhe ndjenja e fajit dhe e hajnisë po e mbyt qeverisjen tonë që pas ndodhisë së Gërdecit, ku humbën jetën dhjetëra qytetarë të varfër shqiptarë. “Kufomat në ngarkesë” të qeverisë po e tërheqin teposhtë qeverisjen. Tani, pas humbjes së moralit të qeverisë ‘Berisha’, secili mendon të fitojë sa të mundet, për aq kohë sa të zgjasë pushteti. Edhe shoferi i ambasadës ka qenë i pushtuar nga ndjenja e fitimit të shpejtë në çfarëdolloj rruge, siç ka qenë i pushtuar nga ideja e fitimit të milionave ish-ministri Mediu, kryeministri ynë, folësja e parlamentit, që ka qejf të quhet kryetare për të absorbuar pushtet, deputetët, kryetarët e bashkive dhe komunave, si dhe çdo punonjës tjetër shtetëror në këtë vend, ku nuk hyhet në punë “për një rrogë”, por për përfitime të majme anësore. Pra, t’i biesh një njeriu në qafë sot se po vjedh shtetin, apo po abuzon me paratë publike, imunitetin, postin që ka etj., tingëllon si marrëzia më e madhe në këtë vend, ku të gjithë janë harbuar në këtë jetë të krisur e të shkurtër, në përpëlitjet e tyre të jetës së pasigurt, sot për nesër. Të mos na habisë shumë rasti i një shoferi në këtë shoqëri pa frena.
Një episod personal më kujton ironinë e fatit. Ardhja e PD në pushtet në 2005 na inspiroi të besonim në ‘premtimet antikorrupsion’ dhe ‘me duar të pastra’ të Berishës. Si mbështetës i PD dhe konkretisht i një deputeti në Shkodër, mendova se gjërat vërtet do ndryshonin, në mos aq sa premtonte Berisha, të paktën diçka do mund të ndryshojë. Një nga përpjekjet thelbësore që i duhet një vendi për të ndryshuar, është edhe përzgjedhja e njerëzve në drejtim. Duhet të merren njerëz të aftë e me reputacion të mirë, që të drejtojnë vendin drejt sfidave që ka sot vendi ynë për t’u integruar. Dhe më mirë se njerëzit e integruar, kush do mund ta bëjë integrimin?! Unë, në naivitetin e besimit tim të mirë, për ndryshim pozitiv të këtij vendi, ofrova të jap kontributin tim. Por gradualisht kuptova se këtu njerëzit e mirë e të dobishëm janë pre e gjahut të politikanëve, gjuetisë së shtrigave të policisë e prokurorisë për t’i degjeneruar e depersonalizuar. Atëherë, me poshtërsi të tilla nuk ndërtohet shteti ligjor, as demokracia. Harrojeni!
I thashë deputetit Ramiz Çobaj që të më ndërmjetësonte një bisedë me ministrin e Jashtëm të atëhershëm, Besnik Mustafaj, për postin e ambasadorit shqiptar në Danimarkë. Si shtetas danez dhe me një njohje të mirë të gjuhës dhe kulturës daneze, një njohje që shtrihet deri edhe te kontaktet personale me politikanë drejtues të atij vendi, CV ime përbënte një rast unik në përfaqësimin tonë diplomatik në atë vend, pasi ish-ambasadori shqiptar, Qemal Minxhozi, ishte kthyer dhe ishte zgjedhur deputet i PS në parlament. Minxhozi ka miq të shumtë në Danimarkë dhe largimi i tij do të krijonte një vakuum përfaqësimi, ashtu siç edhe ka ndodhur, nëse vendin e tij nuk e zinte një përfaqësues tjetër serioz dhe me njohje të shumta në Kopenhagë. Por jo. “S’të marrin ty këta...”, - më tha disa muaj më vonë ish-ambasadori. Skeçi i punësimit të një personi në një post të lartë si ambasador kalon nëpër disa hallka jo fort të lehta dhe mbështetja politike mua më mungonte, në radhë të parë nga deputeti, për të cilin kisha kontribuar. Të jepja ryshfet për një post të tillë, që këtu te ne është gjëja e duhur për të kryer punë, as që më shkonte në mendje.
Llesh Kola, në atë kohë shef kabineti në Ministrinë e Jashtme, më tha se më njihte dhe nuk kishte asgjë kundër propozimit tim për ambasador. Por, meqë nuk isha punonjës i Ministrisë së Jashtme dhe meqë postet e ambasadorëve janë një pjesë profesioniste dhe një pjesë politike, ai më tha se duhej të takoja kryeministrin, që ai të më propozonte për t’u përfshirë në përfaqësuesit diplomatikë politikë. Unë u përpoqa ta bëj këtë, por më pas u tërhoqa. Në bisedën e fundit me z. Llesh Kola, ai më tha se nuk kishte çfarë të bënte; e vetmja gjë që ai mund të më ofronte, se vendet ishin zënë, ishte shofer. Dhe këtu e ka zanafillën shkrimi i tanishëm. Më pas do të merrja me mend se deputeti entuziast Çobaj, me cinizëm, mund t’ia kishte çuar në mendje diçka të tillë z. Kola, pasi ai më vonë nën idenë e konkurrencës “brenda llojit”, s’do të linte mjet pa përdorur për të bllokuar punësimin tim në administratë, megjithëse pata disa oferta të ndryshme nga miq ministra, që dështuan.
Them ironi e cinizëm, se që nga viti 1999, kur unë përjetova një dëmtim të madh fizik, nga një aksident automobilistik në Kopenhagë, jam i kufizuar ndjeshëm në punët që mund të bëj, sidomos në ato fizike. Por përvoja e jetës, kontributi dhe njohuritë e mia mund të ishin përdorur nga qeverisja e PD, ashtu siç mund të përdoren njohuritë e çdo shqiptari të shkolluar në Perëndim për të ndryshuar imazhin e Shqipërisë. Kur hyj me miq në biseda të tilla për shtet-formimin, apo për rrugën e Shqipërisë drejt zhvillimit, ata më kujtojnë se në këtë pjesë të globit, qeveritarët nuk kanë as edhe një për qind idealizëm se si ta zhvillojnë vendin, por në vend të kësaj ata janë në konkurrencë të përhershme se kush e ka makinën më të mirë, kush blen vilën më të mirë në bregdet etj. Dhe kjo ta shpif. Duke parë këtë çoroditje rrënuese, shkrimtari ynë i madh, Kadare, fliste para disa kohësh në një intervistë për “një ushtri të shenjtë” që duhet “për ta shëruar këtë vend”.
Dhe përkundër tendencave shtet-formuese të shqiptarëve me koncepte perëndimore, që i kanë dhënë këtij kombi më shumë se i kanë marrë, unë shoh deputetin Çobaj që ka ndërruar 4-5 makina deri tani, ecën me targa false për të mos e paguar taksën e makinës, dhe për më tepër, ai fut hundët në punët personale të ish-mbështetësve të tij, deri në atë masë sa nuk të lë alternativë tjetër veç ta sulmosh me çfarë të mundesh. Përmendja e padëshirueshme e emrit të tij në këtë shkrim, është mënyra më civile e reagimit.
Deputeti Çobaj nuk pranoi të më ndihmonte në gjetjen e një pune në diplomaci, por me ndihmën e policisë dhe përgjimeve minoi vazhdimisht punësimin tim në administratë dhe i propozoi me cinizëm z. Llesh Kola, që të tallej me humbjen time fizike, duke përmendur një vend pune si shofer. Deputeti ka qeshur me të madhe me këtë gjë, me siguri, pavarësisht se të gjitha prapësitë që bën, ai i mohon duke agjituar sikur nuk di gjë. Më kujtohet një rast, kur një kryetar komune kërkoi mbështetjen e tij, pasi ai ishte bërë deputet. “Sa paguan ti?”, - i tha kandidatit me qesëndi, duke u zgërdhirë. Kur e dëgjova historinë, më shkoi në mendje: “Si do të ishte ndjerë deputeti Çobaj, në kohën kur atij po i hapej koka nga fushata dhe mungesa e parave, sikur ne që e ndihmuam të fillonim e të talleshim me të?!” P.sh., t’i thoshim: “sa paguan ti?” apo “po s’u bëre deputet, bëju shofer në parlament, ha, ha...” etj.
Me kalimin e kohës kam vënë re se në qeverisjen e këtij vendi dalin në dritë më shumë tendencat e tilla të fenomenit “budallait lëshoi rrugën...”. Një konsull i ambasadës sonë në Athinë godet me grushte ambasadorin e nderuar, Minarolli. Këtë tipar e aplikon dukshëm edhe deputeti Çobaj, ashtu si edhe folësja e Kuvendit me krahun e saj. Deputeti krijon konflikt me njerëz dhe e çon punën deri aty, sa nuk të lë alternativë veç të kacafytesh me të. Kam dëgjuar shumë raste nga njerëz që kanë patur punë me të dhe ata janë shmangur duke i hapur rrugë. Personalisht, në përpjekjen e tij për të më injoruar dhe goditur politikisht në konkurrencën e tij banale “brenda llojit”, ai futi dy halabakë për të ndërhyrë në punët personale dhe më pas për të goditur vëllain tim, mjek, i cili banon bashkë me mua në Gjermani. Pra, ardhja e PD në pushtet nuk solli ndryshimin e pritur, luftën kundër korrupsionit apo trafikut, siç u premtua, por solli një riciklim të dhunës, abuzimit me pushtetin dhe paratë publike, në një mënyrë harbute dhe kalimin e trafikut të drogës deri edhe me rrugë diplomatike.
Dhe s’ke pse të presësh më shumë nga këta njerëz, kur sheh formatin agresiv prej diktatorësh të disa prej drejtuesve tanë. Brenda PD ekziston një klimë agresive, që bie ndesh me normat demokratike të një partie bashkëkohore. Disa nga drejtuesit e PD janë fokusuar më shumë në vjedhjen frenetike të parave publike, ku bëhet fjalë për shifra milionëshe eurosh apo dollarësh. Shërbimet e huaja inteligjente kanë interceptuar një bisedë të kryer në mes të folëses së parlamentit shqiptar dhe kryetarit të Bashkisë Shkodër. Biseda zhvillohet në bar “Çikago”, në Shkodër, në katin e katërt. Folësja i thotë kryetarit Luka: “Kam në dorë një fond prej 8 milionë eurosh si ndihmë nga austriakët. Gjysmën e tyre mund ta marrësh me lehtësi.” E kush prej nesh nuk tundohet nga një ofertë e tillë? Prandaj nuk i lënë njerëzit e aftë të afrohen dhe i shtyjnë në mënyrën më të poshtër. Prandaj edhe shoferi i Llesh Kolës, i ambasadës sonë në Romë, i futur në punë me miqësi, i jep të drejtë vetes, që imunitetin diplomatik ta përdorë për abuzime e trafik droge, siç abuzon edhe folësja e Kuvendit.
Duke qenë se kam jetuar një kohë të gjatë në Perëndim, një pyetje ma shqetëson ndërgjegjen, edhe pse nga halli e pamundësia për të ndryshuar diçka jam i detyruar të pranoj si gjithë të tjerët se kjo skizofreni e shthurje e disa prej drejtuesve tanë po e rrënon vendin përditë. Nëse austriakët p.sh., e marrin vesh se ku i çon paratë folësja e Kuvendit, a thua do të jenë aq entuziastë që të na ndihmojnë përsëri në të ardhmen? Kjo pyetje ma bren ndërgjegjen dhe pavarësisht se mendoj se gjithkush i ka qejf paratë, e ka qejf jetën e mirë etj., prapëseprapë më duhet të pohoj se këto lloj metodash janë tepër agresive dhe të papranueshme për demokracitë e bazuara në ligj.
Për këtë arsye, botëkuptimi shqiptar i fitimit në rrugë të lehta e të pandershme, që fillon që nga maja e piramidës, ngjan me rastin e shoferit të ambasadës, i cili e përdor makinën shtetërore për trafik droge. Është loja e budallait që rrezikon shumë! Është loja e budallait që të zë rrugën e nuk të lëshon pa u konfliktuar me të. Loja e një budallai që vë në rrezik jetën e vet për të fituar në mënyrë të pandershme; që i verbohen sytë nga paratë e luksi dhe që shkon tepër larg, tek e pamendueshmja. Jemi ndër të paktat vende në botë, ku psikologjia e budallait drejton vendin dhe ku diplomacia e artikulon budallallëkun e vet si në rastin e shoferit! Rasti i shoferit është një thërrmijë e vogël që del në dritë, pasi ndodh në Itali, se po të ndodhte këtu, as që do të vihet re nga drejtësia.