E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesi shqiptar në borxh 2 miliardë euro

SHKRUAN: Blerina Hoxha 24-11-2011 12:46

Banka e Shqipërisë, në një studim të posaçëm për borxhin e bizneseve njoftoi dje se detyrimet e pashlyera janë 255.6 miliardë lekë dhe 42 për qind e bizneseve janë në borxh

Në muajin qershor, detyrimet e pashlyera të bizneseve shënuan vlerën 255.6 miliardë ose rreth 2 miliardë euro, duke u thelluar me 35 miliardë lekë krahasuar me një vit më parë. Shifra u dha dje nga Banka e Shqipërisë, e cila ka sqaruar me tej se në totalin e bizneseve të intervistuara, 42.8% deklarojnë se aktualisht kanë për të paguar borxh.

Burimi kryesor i financimit të veprimtarisë gjatë gjashtëmujorit të parë të 2011-ës ka qenë shitja e bizneseve, 26.9% të bizneseve, ndërkohë që huamarrja si burim më vete apo e kombinuar me burime të tjera financimi është përdorur nga 27.3% e bizneseve.

Financimi i veprimtarisë së biznesit me anë të huamarrjes është kryer në një hark kohor njëvjeçar për 58.9% të bizneseve të përgjigjura, ku 20% e totalit të bizneseve kanë marrë hua në 6 muajt e fundit. Sipas Bankës së Shqipërisë, qëllimi i marrjes së borxhit ka qenë kryerja e një investimi afatgjatë për 30.8% të bizneseve dhe për përballimin e shpenzimeve korente për 36.3% të tyre. Kështu, 73.8% e bizneseve borxhmarrëse pohojnë se niveli i borxhit të tyre është i përshtatshëm, 57.6% e totalit të bizneseve të intervistuara pohojnë se nuk planifikojnë të marrin kredi gjatë 6-mujorit të ardhshëm.

Gjatë gjashtëmujorit, huamarrja e bizneseve është rritur me 14.6%, ndërkohë që huamarrja e individëve është rritur me 5.3%. Ndërkohë, depozitat janë rritur me 10.2% për bizneset dhe 17% për individët. Në qershor të 2011-ës, kredia në valutë përbën 66.4 për qind të totalit të kredisë të marrë pranë institucioneve financiare, duke qëndruar në vlera të përafërta me një vit më parë. Pozicioni i borxhit për bizneset paraqitet shumë më i thelluar në valutë krahasuar me pozicionin në lekë. Në qershor të vitit 2011, bizneset janë debitorë ndaj institucioneve financiare për rreth 191.4 miliardë lekë në formën e kredisë në valutë dhe vetëm për rreth 64.2 miliardë lekë në monedhën vendase. Gjithashtu, raporti “Teprica e kredisë e pambuluar nga rreziku i kursit të këmbimit ndaj tepricës totale të kredisë” për bizneset ka shënuar rritje në muajin qershor 2011. Vlera e tij është 36.3 për qind, krahasuar me 35.1 për qind të një viti më parë. Në gjashtëmujorin e parë të vitit 2011, 60.8% e tepricës së kredisë për bizneset përbëhet nga kredi me normë të ndryshueshme interesi. Ky raport është rritur krahasuar me qershorin e vitit 2010, me 1.6 pikë përqindje, duke i ekspozuar më shumë bizneset ndaj luhatjeve të normës së interesit. Kështu, biznesi është shumë më i rriskuar se individët, për shkak të ekspozimit të lartë ndaj kredisë në valutë dhe rreziqeve që vijnë nga kursi i këmbimit në këtë rast. Gjithashtu, biznesi paraqitet më i rrezikuar edhe nga luhatshmëria e normave të interesit të kredive, pasi shuma e kontratave të kredisë ndaj biznesit është me interesa jo fikse.

Borxhi i bizneseve në shifra

255 miliardë lekë detyrimet e pashlyera të biznesit

35 miliardë lekë është thelluar borxhi në gjashtëmujorin e parë

42.8% e bizneseve deklarojnë se aktualisht kanë për të paguar borxh

26.9% e nevojave për financim është realizuar duke shitur pjesë të bizneseve

20% e totalit të bizneseve kanë marrë hua në 6 muajt e fundit

30.8% e kredisë është marrë për përballimin e shpenzimeve korente

73.8% e bizneseve borxhmarrëse pohojnë se niveli i borxhit të tyre është i përshtatshëm, 57.6% e totalit të bizneseve nuk planifikojnë të marrin kredi gjatë 6-mujorit të ardhshëm.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›