E Diel, 1 Nëntor 2026

Gazsjellësi TAP, 1 mld euro investim për Shqipërinë

Projekti për gazsjellësin Transadriatik Pipelin parashikon një investim prej 1 mld eurosh vetëm për Shqipërinë. Gjatë diskutimit të projektit me përfaqësuesit e Ministrisë së Ekonomisë dhe Energjetikës, përfaqësuesi i TAP-it bëri me dije se bashkëpunimi me qeverinë shqiptare për këtë projekt ndërkombëtar me rëndësi edhe për vendet si Norvegjia, Zvicra, Italia, Turqia, Greqia, Gjermania dhe Azerbajxhani, është i shkëlqyer. Në fjalën e tij, përfaqësuesi i TAP-it vlerësoi se Shqipëria do luajë një rol të rëndësishëm në hapjen e korridorit të gazit, ndërkohë që realizimi i projektit në territorin shqiptar do të sjellë zhvillim ekonomik, punësim, krijimin e rrjetit të transmetimit energjetik të gazit natyror etj. Ndërkohë ministri i Ekonomisë, Nasip Naço deklaroi gjatë takimit se ky është një projekt prioritar për sigurimin e energjisë në vend dhe për këtë arsye, qeveria ka përshtatur legjislacionin e nevojshëm. Naço tha se Shqipëria po bën lobim ndërkombëtar për projektin TAP, i cili sipas tij do të rritë punësimin në vend. Drejtori i menaxhimit të projektit, Kjetil Tungland tha se ndërtimi i këtij gazsjellësi do të zhvillonte infrastrukturën energjetike në Shqipëri, si edhe do të sillte një investim prej 1 miliard eurosh. “Gazsjellësi do të kontribuojë ndjeshëm në ekonominë shqiptare, si për sa i përket zhvillimit të infrastrukturës energjetike, ashtu edhe në rritjen e investimeve dhe vendeve të punës. Ndërtimi i tij vetëm në Shqipëri do të kushtojë rreth 1 miliard euro. Aktualisht, ne jemi në fazën e studimit të lidhjes së tij me gazsjellësin rajonal Jon-Adriatik, IAP. Gazsjellësi Transadriatik është parashikuar që të sjellë 10 miliardë metër kub gaz në vit nga deti Kaspik. Projekti i ndërtimit të tij parashikon dyfishimin e kësaj sasie gazi. Në Shqipëri, gazsjellësi do të fillojë në Miras të Korçës, do të përshkojë 180 km në territorin e vendit dhe do të dalë në veri të Fierit, nga ku do të lidhet me Italinë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›