E Hënë, 2 Nëntor 2026

Biznesi takim me Topallin: Miratoni Gjykatën Administrative

 

Përfaqësuesit e 35 organizatave të biznesit kërkojnë miratimin e projektligjit “Për krijimin e Gjykatës Administrative”. Një përfaqësi të Koalicionit në përkrahje të Gjykatës Administrative zhvilloi dje një takim me kryeparlamentaren Jozefina Topalli. Drejtuesit e Dhomës së Tregtisë së Tiranës, së Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës Britanike, të Konfindustrisë dhe biznesit të vogël diskutuan për përpjekjet e tyre për miratimin sa më parë në Parlament të ligjit “Për Gjykatën Administrative”. Duke e konsideruar si shumë të rëndësishëm këtë ligj, kryetarja e Kuvendit tha se: “Ky ligj është në rend të ditës së punës së Parlamentit dhe do të votohet në momentin e parë që konfigurimi i Parlamentit të plotësohet, pasi për këtë ligj kërkohen tre të pestat e votave”. Përfaqësuesit e Koalicionit, duke qenë të ndërgjegjshëm se ky ligj kërkon një shumicë të cilësuar shprehën shqetësimin e tyre për pamundësinë e miratimit të këtij ligji, të cilin e cilësuan si një ligj thelbësor të reformës në drejtësi dhe një ligj nga i cili nuk përfitojnë vetëm bizneset por të gjithë qytetarët. Duke theksuar se Shqipëria është i vetmi vend në Evropë që nuk ka një Gjykatë Administrative, përfaqësuesit e Koalicionit thanë se ngritja e kësaj gjykate do të përmirësojë ndjeshëm edhe klimën e biznesit në Shqipëri e do të nxisë më tej investimet e huaja. “Është në interes të Parlamentit miratimi i tij sa më parë, duke u garantuar përfaqësuesve të Koalicionit përkrahjen e saj jo vetëm për këtë ligj, por për çdo iniciativë që ndikon në përmirësimin e kushteve për biznesin dhe sigurinë e investimeve vendase dhe të huaja”, tha Topalli.                                  b.h

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›