Pagat e gjyqtarëve, Berisha shmang PS
adi shkembi
Qeveria do të përdorë bonuset për të rritur rrogat e gjyqtarëve të Gjykatave të Faktit, duke shmangur në këtë mënyrë opo-zitën. Këtë e bëri të ditur dje kryeministri Sali Berisha gjatë prezantimit të projektbuxhetit të vitit 2010 në Komitetin e Planifikimit të Strategjive. Sipas legjislacionit aktual, paga e një gjyqtari të Shkallës së Parë është sa 50 për qind e pagës së ministrit, por sipas kreut të qeverisë ajo duhet të rritet sërish, të paktën edhe 10 për qind. Për ndryshimin e kësaj kategorie pagash duhet prekur ligji i organizimit të sistemit të drejtësisë, i cili nga ana e tij kërkon 84 vota dhe në kushtet kur opozita nuk futet në Parlament kjo është e pamundur, të paktën për momentin. Për të shmangur këtë situatë, qeveria po mendon të akordojë bonuse, të cilat do të çojnë në rritjen e rrogave të gjyqtarëve të kësaj kategorie. “Si sistem është i mirë, por si nivel pagat e gjyqtarëve të Gjykatave të Faktit janë të ulëta. Ndaj, ne nuk marrim dot përsipër të ndryshojmë ligjin deri sa opozita të hyjë Parlament për të bërë 84 vota, por qeveria do të gjejë mënyra të tjera, nëpërmjet bonuseve të caktuara, që gjyqtarëve të Faktit t’u rrisim rrogat dhe ata të marrin jo 50 për qind të rrogës së një gjyqtari të Gjykatës së Lartë, por të marrin 60 për qind të rrogës së një gjyqtari të Gjykatës së Lartë”, u shpreh kreu i qeverisë. Në këtë pikë ai vuri theksin tek investimet në ambientet e gjykatave, ku përmendi atë të Tiranës dhe Pogradecit. Kreu i qeverisë tha se gjatë vitit të ardhshëm do të vazhdojë rritja e pagave dhe pensioneve. “Unë i kuptoj zotërinjtë e Financave, se t’u përmendësh rritje rrogash dhe pensionesh në kohë ‘kolere’, jo për Shqipërinë, por për financat botërore që po kalonin recensionin, ua shton shumë barrën e përgjegjësisë, por ne nuk mund të tërhiqemi nga kjo. Investimi në burimet njerëzore është investimi kryesore, sikundër, rritja e pagave dhe pensioneve të ulëta ëshë e domosdoshme për të ulur varfërinë”, tha më tej Berisha. Përsa i përket investimeve në infrastrukturë, kreu i Ekzekutivit premtoi se gjatë katër viteve të ardhshme do të asfaltohen 7 mijë km rrugë, ndërkohë që përparësi do të jenë rruga e Arbrit, boshti i Jugut dhe rruga Tiranë-Elbasan me tunel. “Duke ruajtur dhe konsoliduar një nivel shumë të lartë investimesh, janë projekte të mëdha të cilat shqiptarët mezi presin t’i shohin të zbatuar. Janë rruga e Arbrit, ëndrra e qytetarëve të Elbasanit për t’u lidhur me tunel me qytetin e Tiranës, Boshti i Jugut dhe një seri projektesh të mëdha. Në një mandat katërvjeçar ne do të asfaltojmë 7 mijë kilometra rrugë; autostrada, rrugë kombëtare, rrugë rurale, rrugë dytësore në fshatra dhe qytete. Projekti ynë për një Shqipëri tjetër do të vazhdojë me agresivitetin më të lartë”, bëri të ditur kryeministri Berisha.