E Diel, 1 Nëntor 2026

Tatimorët kthehen tek ARMO,bllokojnë me dry uzinën

 

FIER/ MAJLINDA RAMA

Tatimorët kthehen në uzinën e ARMO-s, në Fier. Ata kanë vënë situatën sërish nën kontroll, duke i vendosur drynin ambienteve ku u futën me forcë punëtorët ditën e hënë. Të mbështetur dhe nga Policia e Rendit, përfaqësuesit e degës së Tatimeve në Fier dhe Drejtorisë së Përgjithshme, pritën mesnatën e së hënës për të rimbyllur portën e saj. Pasi ka hyrë dhe automjeti i fundit me bitum, tatimorët kanë bërë përfundimisht bllokimin e uzinës. Në të vërtetë gjithçka ka ardhur hap pas hapi duke qenë se heqja me forcë e shiritit tatimor u cilësua si vepër penale nga kreu i Tatimeve Fier, Halil Lamaj. Ky i fundit ka urdhëruar që gjithçka të bllokohet dhe porta do të rihapet vetëm me plotësimin e dokumenteve. Urdhri i Lamajt është vënë në zbatim, por duke qenë se problemi i ngritur nga punëtorët e rafinerisë ishte që qëndrimi i boteve me bitum ishte shkatërrues, Policia Tatimore është munduar të tregohet dorëlëshuar. Pas komunikimit me disa inxhinierë të kësaj uzine, tatimorët kanë vendosur të gjejnë një rrugë të mesme për të kursyer të paktën dëmin që mund të shkaktohej në rast të bllokimit të mjeteve me bitum. Inxhinierët kanë deklaruar se edhe pse u bë lëshim në këtë pikëpamje, sërish probleme u shfaqën në procesin e punës duke sjellë edhe vonesa në përfundimin e secilës procedurë. Ata treguan se në rast se për një maune që shkarkohej normalisht i gjithë procesi shkonte në 30 minuta, në rastin konkret ka shkuar në 45 minuta. Kjo vonesë ka mbajtur peng për orë të tëra tatimorët deri në përfundim të shkarkimit të 250 tonëve bitum që kishin mjetet e bllokuara qysh përpara dy ditësh. Pas mbylljes së uzinës, dje gjithçka ka qenë e qetë, pasi asnjë punëtor nuk ka qenë në ambientet e saj. Drejtori i Tatimeve pohoi se uzinat do të qëndrojnë të bllokuara deri në plotësim të dokumentacionit, ndërsa do të vijojë edhe procedimi penal për veprën penale të shkatërrimit të shiritave tatimor. Gjoba sipas Lamajt mund të shkojë deri në 10 mijë euro.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›