Babai i Aleksandër Kekës: Gati të dëshmoj kundër Colit
SHKODER – “Jam gati të dëshmoj në Gjykatën e Krimeve të Rënda se as ne e as im bir nuk e kemi takuar ndonjëherë Adriatik Colin”. Për të atin e ish-kreut të PDK-së, Aleksandër Keka, i vrarë në një atentat, figurën e të birit duan ta njollosin me dashje tani që nuk rron më, për të fshehur autorët dhe trafikantët e vërtetë që janë gjallë. “Absolutisht, as Adriatik Colin e as ndonjë prej këtyre shokëve që ka deklaruar ai nuk ka qenë në shtëpinë tonë. Mendoj se këto trillime janë bërë ose se policia do të shfajësojë veten për deklarimet që ka bërë në fillim pas vrasjes së djalit tonë Aleksit ose Adriatik Coli ka pasur ndonjë lidhje, ka tregtuar drogë me tjerë dhe për të mos treguar shokët ia lë të vdekurit se Aleksi Kekën nuk ka kush ma me e kapë dhe të tjerët nuk i kap kush”, u shpreh Prek Keka. Ai deklaroi se këtë përgënjeshtrim po e bën për të qetësuar familjen e tij, të njohurit dhe banorët e Bajzës, që e respektonin Aleksandër Kekën. I moshuari shprehet i gatshëm të dëshmojë në Gjykatën e Krimeve të Rënda nëse do t’i kërkohet për të përgënjeshtruar thëniet e të pandehurit Adriatik Coli, i cili deklaroi se ka qenë në shtëpinë e familjes Keka. Ndërsa mohon të ketë takuar Colin, Prek Keka tregon se 11 vite më parë, Dritan Dajti, ka qenë i ftuar në dasmën e djalit të madh, i cili jeton në SHBA. Sipas Kekës, djali nga Tirana ishte ftuar me të fejuarën si shok i të birit, por në atë kohë ai nuk ishte person i njohur për ndonjë veprim kriminal nga policia. Ky ka qenë i vetmi rast që ka dëgjuar për emrin e Dajtit, por ai nuk i ka shkuar asnjëherë në shtëpi ose ta ketë takuar më vonë. r.d