E Shtunë, 31 Tetor 2026

Biznesmeni Samir Mane, 2.5 milionë Euro për Tiranën

Nga Leonard Karaj
Sikur të mos mjaftonte "xhepi" i katërshes së donatorëve dhe ndihma nga ana e Bashkisë së Tiranës, klubi kampion në fuqi i Tiranës pritet të marrë një shtysë financiare edhe më të madhe. Samir Mane, i njohur në vendin tonë për rrjetin e dyqaneve "Euromax" mund të jetë një nga donatorët e rinj të klubit bardheblu për sezonin e ri. Lajmi bëhet i ditur nga burime të sigurta pranë drejtuesve të Tiranës. Ndërkohë zëdhënësi i zotit Mane ndonëse nuk konfirmon operacionin nuk mohon se një gjë e tillë në të ardhmen mund të ndodhë. Bëhet fjalë se pronari i qendrës tregtare QTU do të vërë në dispozicion të klubit shumën e 2.5 milionë eurove cka do të ngrejë edhe më shumë cilësinë e lojës së këtij klubi duke pasur më shumë mundësi për ofrimin e komoditeteve të nevojshme të futbollistëve dhe afrimin e talenteve të rinj që Tirana të jetë kompetitive jo vetëm në Superligën shqiptare por edhe në Kupat e Evropës. Nuk dihen shumë detaje mbi afrimin e donatorit të ri tek klubi bardheblu por ajo cka e rëndësishme është fakti se Samir Mane është interesuar më së shumti për privatizimin e shpejtë të Tiranës. Një gjë e tillë do të sillte për herë të parë në vendin tonë një klub të strukturuar sikundër edhe në kampionate të ndryshme elitare në botë. Por përvec kësaj afrimi i donatorit të ri mund të sjellë edhe shpërbërjen e "katriadës" së tanishme e përbërë nga Avni Nuri, Shefikat Ngjela, Refik Halili dhe Agron Papuli. Nuk dihet gjithashtu nëse Mane do të preferojë të "qeverisë" më vete apo të formojë një lloj ortakëri në drejtim dhe financim të klubit me ndonjërin nga financiuesit aktualë. Katër donatorët morën në dorë drejtimin e këtij klubi pas largimit të presidentit egjiptian El Sajed në vitin 2003. Nën drejtimin e tyre Tirana ka fituar tri kampionate dhe dy Kupa të Shqipërisë. Shifra e dy milionë e gjysëm euro që pretendohet të investohet nga Samir Mane rezulton të jetë shumë herë më e madhe se ajo që ka deklaruar "katriada" e donatorëve se shpenzonin në një sezon. Sipas këtyre të fundit për SK Tiranën harxhohen rreth 1 milionë dollarë në sezon duke përfshirë këtu përvec rrogave të futbollistëve dhe ato të drejtuesve dhe punëtorëve të tjerë të klubit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›