Biznesmeni kosovar në gjykatë: Nuk doja të vrisja Emmy-n, ndjesë prindërve
Tiranë- Gjykata e Tiranës ka pranuar dje kërkesën e Aziz Kelmendit për gjykim të shkurtuar, duke vendosur kështu t’i japë fund këtij procesi gjyqësor brenda dy seancash. Gjykata ka argumentuar se çështja mund të zgjidhet në gjendjen që janë aktet, duke pranuar që kosovari i akuzuar për vrasjen e këngëtares Elsina Hidersha, të gjykohet brenda pak kohësh dhe të përfitojë uljen e një të tretës së dënimit. Pas këtij vendimi, i pandehuri Kelmendi, që ishte i pranishëm në sallën e gjyqit, u ka kërkuar falje familjarëve të këngëtares. Në një deklaratë para gjykatës, Kelmendi tha se nuk ka dashur të vrasë këngëtaren, por tashmë ajo gjë ka ndodhur. “Unë nuk kam dashur të vras Emmy-n. Ju kërkojë ndjesë familjarëve për vuajtjet dhe dhimbjet që u kam shkaktuar”- ka deklaruar Kelmendi, duke shprehur pendesë për atë që ka ndodhur. Sipas tij, ai kishte njohje edhe me familjarë të vajzës, me babanë dhe vëllanë e saj, një arsye më shumë kjo për të mos vrarë këngëtaren. Kelmendi gjithashtu ka deklaruar se me Emmy-n ka kaluar çaste të bukura dhe kurrsesi nuk do ta vriste atë. Kjo deklaratë e të pandehurit Aziz Kelmendi, i cili akuzohet për vrasje nga pakujdesia, ndryshe nga një seancë më parë, nuk ka sjellë asnjë reagim te familjarët e viktimës. Më pas, Gjykata urdhëroi prokurorin të lexonte kërkesën për gjykim ndaj të pandehurit, i cili akuzohet se duke u gdhirë 27 shkurti i këtij viti, ka vrarë nga pakujdesia shtetasen Elsina Hidersha, e cila ka qëndruar e varur në xhamin nga krahu i shoferit për një distancë për rreth 50 metra. Më tej, prokuroria sqaroi mekanizmin e ngjarjes së ndodhur rreth orës 02:00 të mëngjesit në rrugën “Sadik Petrela” në kryeqytet, si dhe dëshmitë e personave që kanë parë ngjarjen, apo miqve dhe të afërmve të Emmy-t. Kërkesa prej 13 faqesh pritet të pasohet seancën e ardhshme nga konkluzionet përfundimtare të prokurorisë, e cila do të parashtrojë edhe kërkesën për caktimin e masës së dënimit ndaj Aziz Kelmendit. Akuza që rëndon ndaj tij është ajo e vrasjes nga pakujdesia, që sipas Kodit Penal dënohet deri në 5 vjet heqje lirie. Gjykimi i shkurtuar, pavarësisht masës së dënimit që do të vendosë gjykata, qoftë kjo edhe maksimale, do t’i ulë automatikisht një të tretën e dënimit të pandehurit, i cili tashmë ka pranuar krimin e kryer edhe pse nga pakujdesia dhe u ka kërkuar ndjesë familjarëve të viktimës. Kjo çështje, sipas procedurës, pritet të zgjidhet brenda dy seancave, ndërsa familjarët e viktimës dhe përfaqësuesit ligjorë të të pandehurve pritet të nisin një tjetër betejë ligjore. Duke qenë se në procesin penal u procedua me gjykim të shkurtuar, gjykata nuk mundi të shqyrtojë padinë civile të paraqitur nga familjarët e Emmy-t për dëmshpërblim. Kjo kërkesë është pranuar nga gjykata, ndërsa ajo duhet të depozitohet në seksionin civil ku pas hedhjes së shortit do të përcaktohet edhe trupi gjykues që do ta shqyrtojë atë.