Lubonja: Letra e Kokomanit dhe Lezhos për E. Hoxhën
Këtë herë nuk ka shkuar si opinionist në emisionin “Opinion” të Blendi Fevziut në Tv Klan, por si dëshmitar. Një dëshmi që Fatos Lubonja e ka dhënë në një libër vite më parë, siç është “Ridënimi”. Kujtime, të cilat kanë gjeneruar sidomos në 2 vitet e fundit, kur ka pasur debate në lidhje me të shkuarën, me qëndrimet e atyre që kanë qenë nomenklaturë apo viktimë. Xhelal Koprëncka, Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, janë dënuar me vdekje në fund të majit 1979, të akuzuar se kishin formuar dy organizata konspirative që punonin kundër Republikës Popullore të Shqipërisë. U pushkatuan dhe eshtrat e tyre, ende nuk dihen se ku janë Faji i tyre, mëkati i vetëm i tyre, ishte se i kërkuan udhëheqjes së PPSH-së që të shikonin qëndrimin e Shqipërisë pas prishjes me Kinën. Kokomani dhe Lezho dëshironin që Shqipëria të orientohej drejt Bashkimit Sovjetik, ndërsa Koprëncka drejt SHBA-në. Guxuan dhe u ekzekutuan Procesi vjen i plotë nga vetë Fatos Lubonja në emisionin “Opinion” të gazetarit Blendi Fevziu në televizionin “Klan”
Fevziu: Një proces i montuar apo jo?
Lubonja: Historia është, ju e thatë pak a shumë
Fevziu: E thashë në vija të përgjithshme, më falni që po ndërhyj Vazhdimisht flitet për këto personazhe, rikthehen në shtypin shqiptar dhe shumë pak persona e dinë që ata nuk kanë ende një varr, eshtrat e tyre nuk janë gjetur dhe nuk dihet se ku janë. Meqenëse vazhdimisht botohen dosje të falsifikuara, do të doja versionin më origjinal që ju e keni trajtuar në këtë libër. Ishte vera e vitit 1978
Lubonja: Duhet të kemi parasysh që burgu ka qenë një vend ku vazhdimisht gëlonin shpresat e të burgosurve. Nuk është kollaj që të kalosh vite të tëra burgu, pa pasur një shpresë dhe ndërtimi i shpresave ishte i ndryshëm. Të burgosurit, në përgjithësi prisnin një shpëtim, ndiqnin me vëmendje ngjarjet brenda vendit, ato ndërkombëtare dhe pa dyshim kishin paranojat, shtrembërime të realitetit që vinin nga gjithë ai izolim i gjatë, por, nga ana tjetër, ishin edhe shumë të informuar. Historia e tyre fillon pikërisht kur Shqipëria po prishej me Kinën. Domethënë, u prish në verën e vitit 1978 dhe, që të jemi ekzaktë, u krijua një atmosferë, ku mendohej se Shqipëria vështirë se mund të mbijetojë për arsye ekonomike…
Fevziu: Ju shkruani vazhdimisht në libër që Vangjeli thoshte se pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën, ndihet që po mbarojmë. Nuk jepte fakte, por e thoshte
Lubonja: Unë e kisha mik Vangjelin. Kur e pyeta se si e koncepton, sepse unë kisha një dyshim, nuk më dukej ashtu, nuk e ndieja, përgjigjja e tij ishte: Fundi i aventurierit nuk dihet, por vjen një ditë. Por, mënyra se si do t’i vijë fundi, nuk dihet. Dhe dihej që kjo ishte një aventurë që po bënte Shqipëria. Pra, dua të them që bashkë me guximin e madh, këta kishin edhe shpresën e madhe që diçka do të ndryshojë. Dhe këtu kemi dy korrente
Fevziu: Të ndërhyj përpara, që të jemi më në brendësi edhe me publikun. Pse ishte dënuar Vangjel Lezho, Fadil Kokomani, si dhe Xhelal Koprëncka?
Lubonja: Vangjel Lezho dhe Fadil Kokomani bënin pjesë në ato që mund të quheshin familje komuniste të Luftës, që brezi më i ri siç janë këta, pati mundësinë të shkonin dhe studionin në Bashkimin Sovjetik. Në një farë mënyre, po krijonin një lloj elite të re, që po tentonte zëvendësonte elitën e vjetër. Këta pra ishin dy të rinj që shkuan të studionin për gazetari në Bashkimin Sovjetik, ku patën mundësi të njiheshin me klimën e atjeshme, që gjithsesi ishte një klimë tjetër. Jo vetëm sepse ishte pas vdekjes së Stalinit, por që gjithsesi ishte një vend shumë i madh. Moska as që mund të krahasohej me Tiranën në të gjitha aspektet Dhe ku Vangjeli u martua, ndërsa Fadili u dashurua dhe nuk u martua. Vangjeli erdhi bashkë me gruan e tij në Shqipëri dhe kishte një vajzë. Këta ishin komunistë, me sa di. Në këtë moment, vjen prishja e marrëdhënieve me Bashkimin Sovjetik dhe që u trumbetua me të madhe siç dihet, tradhtia revizioniste etj etj. Në këtë kohë, këta të dy dhe jo vetëm këta të dy, por Vangjeli dhe Fadili ishin protagonistë, i shkruajnë një letër Komitetit Qendror të Bashkimit Sovjetik.
Fevziu: Në vitet ’61-’62?
Lubonja: Në kohën e prishjes me Bashkimin Sovjetik, këtu fillon ndjekja e tyre. Këta shkruan një letër në të cilën shprehin disaprovimin e tyre për këtë prishje, dënimin e stalinizmit dhe aprovimin e tyre për linjën e Hrushovit. Kjo linjë ishte ajo e dënimit të stalinizmit, të leninizmit, për idealet e vërteta, sepse në atë kohë kështu u interpretua kjo lëvizje e Hrushovit. Për mendimin tim, ishte një hap i rëndësishëm për ta bërë më human, aq sa ç’mund ta bënte më human atë sistem socialist. Dhe, bënin pjesë te këta njerëz, që për arsye sentimentale, bindjesh ideologjike, ato çfarë shikonin në Shqipëri, konkretisht me udhëheqjen e diktaturës, shprehën disaprovimin e tyre dhe duke gjetur mënyrën për ta dërguar në Bashkimin Sovjetik, nëpërmjet gruas së Vangjelit dhe Ambasadës Sovjetike që ishte ende në Tiranë.
Fevziu: Ra në dorën e sigurimit kjo letër?
Lubonja: Kjo letër u afishua në Kongresin e Bashkimit Sovjetik, duke thënë se ja çfarë mendojnë dhe komunistët shqiptarë, që janë kundër. Pra, këtu ka filluar një lloj kërkimi apo ndjekje e tyre. Por këta insistojnë, sepse Vangjeli ishte dhe poet, Fadili ishte shumë guximtar si natyrë; Një brez që ishte edukuar me sakrificën e jetës dhe guximin, ata vendosën që të arratisen. Të kalojnë kufirin për të shkuar në Bashkimin Sovjetik. Ndërkohë, Vangjeli e kishte nisur gruan e tij bashkë me vajzën dhe, që t’i bie shkurt, ndërkaq këta janë në survejim. Ka të dhëna që ka pasur të infiltruar pranë tyre, që i ndiqnin, i spiunonin dhe këta u kapën. Dolën në një gjyq që ishte goxha i rëndë, ku përveç këtyre të dyve, ishin 7 veta në grup, me sa më kujtohet. Ndoshta ndonjë gjë edhe mund të mos e kem të saktë, por di mirë që ishin dy ushtarakë përveç tyre, që kishin mbaruar edhe ata studimet në Bashkimin Sovjetik, Trifon Xhagjika dhe Thoma Rafaeli. Ka qenë edhe vëllai i Thomait, Stavri, i cili ishte tenor që kishte studiuar në Hungari dhe po ashtu kishte dhe gruan hungareze. Një Franko Sara në mos gaboj
Fevziu: Këta u arrestuan në vitin 1963?
Lubonja: Po, këta u arrestuan dhe pas një gjyqi të frikshëm, prokuroria kërkon dënim me vdekje për katër të parët: Fadili dhe Vangjeli si inspiratorë e ideologë dhe këta të dy, si Trifoni dhe Rafaeli, si ushtarakë. Pastaj, asnjëherë nuk i dihet se çfarë ka ndodhur në prapaskenë, por thuhet se ky gjyq u mor vesh edhe në kampin e Bashkimit Sovjetik që po i dënojnë komunistët shqiptarë, sepse janë kundër linjës staliniste. Si përfundim, u dënuan me vdekje dy ushtarakët dhe u ekzekutuan. Ndërkohë që Fadili dhe Vangjeli u dënuan me nga 25 vjet burg dhe nisën odisenë e tyre nëpër burgjet e Shqipërisë. Në Laç kanë qenë atëherë kur të burgosurit ndërtonin, kanë qenë në Burrel, në Spaç.
Fevziu: Ju i keni takuar në Spaç, në cilin vit?
Lubonja: Unë kam takuar fillimisht Fadilin, i cili ishte në Spaç tashmë. Për një kohë të gjatë ai ka pasur një traumë psikike apo një simulim psikik për të dalë nga burgu, kjo asnjëherë nuk është marrë vesh e saktë. Në fakt, unë e kam gjetur shumë të kthjellët, pra ishte një periudhë në vitin 1972, kur i ashtuquajturi liberalizim i famshëm, u ndje edhe nëpër burgje, duke krijuar ndonjë atmosferë lirimesh. Të mos harrojmë gjithmonë që Fadil Kokomani kishte të vëllain gjeneral, Muharrem Kokomani. Sigurisht ishin ato rastet ku familjet mohonin këta, por gjithsesi ndikonte. Ndërk