E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zbardhet vendimi Kolegji Ja pse e rrezuam ankesen e PS-se

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka qenë në tagër të plotë ligjor kur ka numëruar fletët e hedhura gabimisht,nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka marrë kompetencat e KZAZ-ve duke ndërhyrë në tabelat e rezultatit, dhe nuk ka shkelur asnjë ligj kur ka miratuar me 4 vota vendimin që i mundësonte këtë ndërhyrje. Këto kanë qenë argumentat me të cilat 5 gjyqtarët e Kolegjit Zgjedhor rrëzuan më 3 qershor padinë e socialistëve, që konsideronin të paligjshëm vendimarrjen e KQZ-së.

“Kodi Zgjedhor në asnjë dispozitë të tij nuk parashikon mos lejim apo ndalimin e vlerësimit të një sasie të caktuar votash, qofshin këto të hedhura në kutinë e gabuar, vota që shprehin qartë vullnetin e zgjedhësve që kanë votuar. Një akt i tillë vjen në përputhje edhe me qëllimin e vetë Ligjit, Kodit Zgjedhor”-thuhet në arsyetimin 19 faqesh të vendimit të gjykatës së zgjedhjeve.

“Në lidhje me pretendimin se KQZ ka ndryshuar rregullat e lojës pas zhvillimit të procesit zgjedhor edhe ky çmohet i pabazuar nga kolegji, pasi në rastin konkret nuk kemi një rast të tillë”-theksohet në vendim.

Trupa e kryesuar nga Tom Ndreca e ka vlerësuar Komisionin Qendror të Zgjedhjeve tërësisht të legjitimuar për të bërë hetimin administrativ në 117 kuti, në cilësinë e komisioneve më të ulëta dhe për të ndërhyrë kësisoj dhe në tabelën e rezultatit të 9 KZAZ-ve.

“KQZ si organi qendror i parashikuar nga Kodi Zgjedhor është organi epror i administratës zgjedhore dhe si i tillë ushtron edhe kompetencat e organeve të varësisë në rastet kur ato nuk mund të ushtrojnë detyrat e tyre”-thekson Kolegji.

PS, sipas Kolegjit nuk provoi asnjë rrethanë të shkeljes së ligjit në votimin e aktit Ristani, shkelje e cila do e kthente atë në të pavlefshëm.

“KQZ nuk ka vepruar në kapercim të kompetencave në marrjen e vendimit 709 kur e ka miratuar këtë vendim me 4 vota pro, pasi nuk bëhet fjalë për një akt normativ”-thuhet më tej.

Kolegji zgjedhor zbardhi arsyetimin e tij pak orë para limiteve ligjore që e detyronin të bënte një gjë të tillë dhe  që skadonin pikërisht në orën 21 të së mërkurës. Pak minuta pas vënies në dispozicin të vendimit, juristët e selisë rozë u mblodhën në zyrat e kësaj selie së bashku me kryetarin rama për të konsultuar dhe hartuar strategjinë e sulmit për padinë tjetër në kolegj atë të 13 qershorit.

Elona Gjylmi Azhornuar së fundi ( e enjte , 09 qershor 2011 )

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›