E Shtunë, 31 Tetor 2026

Grabiten 9 mijë euro në shtëpinë e oficerit të Gardës

SHKRUAN: Thimi Samarxhiu 09-06-2011 11:24

Tiranë- Fenomenit gjithnjë e në rritje të grabitjeve, nuk i ka shpëtuar as një efektiv i Gardës së Republikës, banesa e të cilit është grabitur dy net më parë nga persona ende të paidentifikuar. 9 mijë euro janë zhdukur pa gjurmë, mbrëmjen e së martës në banesën e oficerit të Gardës, Çlirim Memaj, e cila ndodhet në rrugën “Naim Frashëri” në kryeqytet. Burime nga policia bëjnë me dije se grabitja dyshohet të ketë ndodhur në orët e vona të natës dhe se grabitësit nuk kanë hyrë me forcë në banesë, pasi gjatë verifikimeve të kryera në banesën në fjalë nuk rezulton që të ketë dëmtime të cilat mund të jenë kryer nga hyrja me forcë në shtëpi. Ndërkohë, mungesa e parave është konstatuar mëngjesin e djeshëm nga ana e oficerit të Gardës. Në bazë të këtyre të dhënave, policia ka ngritur dyshimet se grabitja mund të jetë kryer nga persona të njohur të kësaj familjeje. Një tjetër provë, e cila çon në këtë përfundim, është se në vendin ku ndodhej sasia prej 9 mijë eurosh, kishte dhe para të tjera, të cilat arrinin deri në 5 milionë lekë të vjetra. Në bazë të kallëzimit të bërë, rezulton se këto para nuk janë prekur, por janë marrë vetëm eurot, të cilat ndodheshin brenda një çante. Nga ana e tyre, efektivët e komisariatit 2 në Tiranë, të cilët janë marrë me dokumentimin e plotë të kësaj ngjarjeje, kanë vijuar punën për të mbledhur dëshmitë e familjarëve, por edhe të banorëve të tjerë të zonës. Në bazë të këtyre deklarimeve të mbledhura, rezulton se askush prej familjarëve nuk ka dëgjuar zhurma ose të ketë parë persona të dyshimtë, të cilët mund të kenë hyrë në banesë për të kryer grabitjen. Gjithashtu edhe fqinjët e familjes Memaj deklarojnë se nuk kanë parë asnjë person të dyshimtë dhe as kanë dëgjuar ndonjë zhurmë gjatë mbrëmjes të së martës. Duke shtuar dhe këto dëshmi, dyshimet e para të policisë fokusohen kryesisht në grabitjen prej personave të njohur të kësaj familjeje. Por nga ana tjetër, vazhdon mbledhja e provave për dokumentimin dhe zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›