Biznesmenit iu ngrit pritë, tetë plumba në gjoks
DURRËS/ Policia deklaroi se në makinën e 35-vjeçarit është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar si kokainë
DURRËS - Ekzekutimi i Shyqyri Deliallisit është bërë nga dy autorë, me dy armë, njëra automatike dhe tjetra pistoletë. Kanë qenë jo një, por tetë sasia e plumbave që 35-vjeçari ka marrë në gjoks, ka konfirmuar një ditë pas ngjarjes së ndodhur në orët e vona të mbrëmjes së të martës policia e Durrësit.
Gjithashtu është bërë e ditur se në automjetin e viktimës është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike, e dyshuar si kokainë. Nuk dihet nëse një gjë e tillë ka lidhje me vrasjen e tij, gjithsesi policia po heton në disa pista, përfshirë këtu edhe të kaluarën e biznesmenit 35-vjeçar, i cili kishte punuar disa vite në Itali dhe nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer.
Ngjarja
Ka qenë ora 20:15 kur janë dëgjuar krismat e një arme automatike në një zonë të lagjes 13 në plazh sektor i unazës, në afësi të vendit të njohur me emrin Bregu i Kanalit. 35-vjeçari Shyqyri Deliallisi në këtë kohë po udhëtonte me një automjet tip Volksvagen me targa DR 0730 F me bashkëshorten e tij dhe i ishte afruar banesës.
Dy persona ende të paidentifikuar nga policia i kanë zënë prite dhe në momentin kur makina kishte filluar që të ulte shpejtësinë, i kanë dalë përpara dhe i kanë bërë shenjë të ndalojë.
Menjëherë njëri prej tyre i cili kishte një armë automatike tip Skorpions, kalibër 9 mm është pozicionuar në krahun e pasagjerit dhe ka bërë qitje të afërt me objektivin. Kjo e ka shpëtuar gruan e Deliallisit nga plumbat. Më pas, të dy personat janë larguar me shpejtësi në drejtim të paditur duke përfituar edhe nga errësira, si dhe shiu i lehtë që binte në ato momente.
Provat materiale
Policia ka mbledhur në vendngjarje 9 gëzhoja automatiku të kalibrit 9 mm, si dhe një gëzhoje pistolete TT model 54 të kalibrit 7.62 mm. Nga kjo vërtetohet se kanë qenë 2 burime zjarri nga 2 armë të ndryshme. Ndërkohë nga ekzaminimi mjeko ligjor që i është bërë viktimës në morg, është konstatuar se ai ishte goditur me 8 predha të marra kryesisht në gjoks, kjo për shkak të pozicionit bust që ka pasur para vrasësit në momentin e qitjes.
Policia ka tërhequr nga vendi i ngjarjes automjetin e viktimës, i markës "Volksvagen" me targa DR 0730 F dhe e ka dërguar atë në laborator. Gjatë kontrollit të bërë në të, sipas burimeve të rezervuara, është gjetur një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar si kokainë.
Pritet që të konfirmohet nëse vetë viktima është përdorues i saj. Ndërkohë që ekspertët hetimore kanë zbuluar të hedhur në afërsi të shtëpisë së të atit të viktimës një çantë sportive ku ishte fshehur gjatë udhëtimit arma e krimit. Në afërsi të çantës janë gjetur të hedhura edhe 2 prej skafandrave që përdoren në motorë, por në këtë rast kanë shërbyer edhe si maska për të mos u njohur. Në objektet e gjetura policia ka marrë shenja gjurmësh dhe po punon për të zbuluar autorët e dyshuar.
Biznesmeni i vrarë ushtronte veprimtarinë e tij në një lokal disko "3X" në zonën e plazhit të Durrësit. Mësohet se ai nuk kishte shumë kohë që ishte kthyer nga Italia, ku edhe kishte qëndruar për një kohë të gjatë. Megjithëse zyrtarisht ende nuk është deklaruar nëse Deliallisi ka pasur ndonjë problem në kohën që ndodhej jashtë shtetit, një nga pistat e hetimeve është edhe veprimtaria e tij në shtetin fqinj.