E Diel, 1 Nëntor 2026

Kalon afati, 186 zyrtarë s’e deklaruan pasurinë

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit (AKKK) bëri të ditur sot se 186 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar ende pasurinë, megjithëse afati ligjor, i paraparë me Ligjin për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe dhuratave, ka përfunduar më 31 mars 2010.

“Numri i zyrtarëve të lartë, të cilët e kanë obligim të deklarojnë pasurinë janë 1560. Nga numri i përgjithshëm, 1374 apo 88.07 për qind e zyrtarëve të lartë publikë, e kanë deklaruar pasurinë, 186 zyrtarë të lartë publikë nuk e kanë deklaruar ende pasurinë”, njoftoi Agjencia, nëpërmes një komunikate për shtyp.

Në mesin e zyrtarëve të lartë publik të cilët e kanë deklaruar pasurinë janë edhe udhëheqësit kryesorë të institucioneve të vendit: presidenti, kryetari i Kuvendit, kryeministri, dy zëvendëskryeministrat. Ndërsa nga ministrat, pasurinë e tyre e kanë deklaruar 16 nga 17 ministrat e qeverisë.

Po ashtu, këtë obligim ligjor e kanë përmbushur edhe kryetari i Gjykatës Kushtetuese, kryetari i Gjykatës Supreme, kryeprokurori i Kosovës, rektori i Universitetit të Prishtinës dhe udhëheqësit e agjencive.

Nga 37 komunat, pasurinë e kanë deklaruar 25 kryetarë të komunave, kurse nga 29 ndërmarre publike, pasurinë e kanë deklaruar 25 udhëheqës të tyre.

Agjencia thotë se brenda afatit ligjor do të publikojë në faqen e vet të internetit formularët e deklarimit të pasurisë dhe emrat e zyrtarëve të lartë publikë që nuk e kanë deklaruar pasurinë. Po ashtu paralajmëron se do të veprojë konform ligjit në secilin rast të mosdeklarimit të pasurisë.

Nga institucionet, numri më i madh i zyrtarëve që s’e kanë deklaruar pasurinë është në Qeveri, gjithsej 83; në Kuvend janë 14 zyrtarë që s’e kanë përmbushur obligimin; Gjykata – 11; Prokurori - 3; Universiteti i Prishtinës - 23; Agjencitë qeveritare - 10, Komunat e Kosovës - 19 dhe ndërmarrjet publike – 23.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›