E Shtunë, 31 Tetor 2026

Drejtësia për të varfrit

Në Ferizaj është bërë përurimi i Zyrës rajonale për ndihmë juridike falas. Shërbimet në këtë zyrë mund t’i shfrytëzojnë edhe qytetarët nga komuna e Kaçanikut, Shtimes, Shtërpcës dhe Hanit të Elezit.

Zëvendësministri i Drejtësisë, Arsim Janova, e ka vlerësuar hapjen e kësaj zyre si ndihmesë të madhe për sistemin e drejtësisë në Kosovë. Ai bëri të ditur se së shpejti do të hartohet edhe projektligji për ndihmë juridike falas, i cili do të zëvendësojë rregulloren e UNMIK-ut 2006/30.

Përfaqësuesja e UNDP-së, e cila është implementuese e këtij projekti, Osnat Lubrani, po ashtu është shprehur e kënaqur me hapjen e kësaj zyreje, e cila sipas saj ka një rëndësi shumë të madhe për qytetarët në përgjithësi.

Edhe kryetari i Komunës, Bajrush Xhemaili, është shprehur i kënaqur që qytetarët do të kenë mundësinë të shfrytëzojnë ndihmat juridike falas.

Zyra për ndihmë juridike ka për qëllim që t’iu ofrojë këshilla dhe ndihmë juridike falas të gjithë atyre që nuk kanë mjete të kenë qasje në drejtësi.

Besohet se kjo zyrë do të ofrojë ndihmë juridike kualitative dhe efikase për qytetarët.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›