Bjellorusi, arrestohen disa persona lidhur me sulmin në metro

Zëvendës prokurori i Bjellorusisë, Andrei Shved, ka deklaruar se disa persona janë arrestuar në lidhje me sulmin e djeshëm me bombë në metron e kryeqytetit Minsk.
Sot më herët, ministri i brendshëm, Anatol Kulyashou, deklaroi se policia kishte krijuar portretin e dy meshkujve të dyshuar, duke i shfrytëzuar përshkrimet e dy dëshmitarëve.
Nga sulmi i djeshëm me bombë në metro janë vrarë 12 persona, ndërsa 150 të tjerë janë plagosur, përfshirë edhe 22 persona, që janë në gjendje serioze shëndetësore.
Policia në Bjellorusi sot ka bërë kontrollime në rrugë, stacione dhe aeroporte.
Presidenti Aleksander Llukashenka ka theksuar se shpërthimi ishte përpjekje për destabilizimin e këtij vendi dhe theksoi se nuk e përjashton ndërhyrjen e të huajve.