E Shtunë, 31 Tetor 2026

Zgjedhjet në Maqedoni, OSBE paralajmëron për vëzhgime të rrepta

OSBE-ODIHR dhe organizatat e tjera ndërkombëtare kanë paralajmëruar vëzhgim të rreptë të zgjedhjeve të parakohshme në Maqedoni. Përfaqësues të lartë të OSBE/ODIHR po shqyrtojnë planin e vëzhgimit të këtyre zgjedhjeve dhe deklarojnë se janë në pritje të ftesës nga ana e Qeverisë së Maqedonisë. Nga OSBE nuk bëjnë të ditur se sa do të jetë numri i vëzhguesve që do të marrin pjesë në Maqedoni. Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës miratoi të hënën vendimin për dërgimin e një komisioni “ad hoc” për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme. Mevlut Çavoshogllu, kryetari i AP të KE-së tha se kanë vendosur për dërgimin e një ekipi vëzhguesish, por deri tani nuk kanë pranuar ftesën zyrtare nga autoritetet e Shkupit. OSBE/ODIHR dhe KE pritet të mbërrijnë në vend gjatë javës së ardhshme, pasi misionet e tyre nuk kanë për qëllim që të vëzhgojnë zgjedhjet vetëm në ditën e votimit, por edhe vëzhgimin e kushteve për organizimin e zgjedhjeve fer dhe demokratike. Një pjesë e partive opozitare kanë hedhur dyshimet për mundësinë e manipulimit të zgjedhjeve të parakohshme, dhe këto shqetësime i janë përcjellë edhe përfaqësuesve ndërkombëtarë. Partitë politike kanë nisur takimet me ambasadorë të vendeve të BE-së, nga ku kanë kërkuar monitorim sa më të rreptë ndërkombëtar dhe angazhim për zgjedhje fer dhe demokratike. Po në fillimjavë, u bë e ditur se Kuvendi i Maqedonisë do të shpërndahet më 14 prill ndërsa më 5 qershor do të mbahen zgjedhjet e parakohshme parlamentare. Njoftimi u bë i ditur nga kryeparlamentari Trajko Veljanovski pas konsultimeve me grupet parlamentare, ku munguan ato të opozitës. Maqedonia shkon në zgjedhje të parakohshme parlamentare si pasojë e krizës politike, që rezultoi me braktisjen e Kuvendit nga ana e Lidhjes Socialdemokrate, për shkak ndërhyrjes së pushtetit në punën e disa mediave që konsiderohen të afërta me opozitën.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›