E Diel, 1 Nëntor 2026

Bjellorusia: Do tia paguajmë borxhin Moskës

Konflikti

Bjellorusia do të ndreqë mosmarrëveshjet që ka me Moskën në lidhje me borxhin për naftën brenda dy javësh. Kjo, pasi Moska nisi ndërprerjen e furnizimeve me lëndën djegëse pas grindjeve me Minskun për shkak të pagesave të pashlyera.

Zëvendëskryeministri i Bjellorusisë bëri të ditur se Bjellorusia do të marrë hua rreth 200 milionë dollarë nga “Gazprom” dhe se ndërkaq edhe Rusia i detyrohej vendit të tij mbi 200 milionë dollarë për transitin e naftës nëpër vend e drejt Europës. Në fillim të ditës së djeshme, Presidenti i Rusisë urdhëroi “Gazprom”-in që të reduktonte derdhjet drejt Bjellorusisë në masën 15%. Dimitri Medvedev tha se kjo përqindje do të shtohej ditë pas dite, derisa Bjellorusia të mos paguante të gjitha detyrimet që i kishte Moskës. Bjellorusia mendon se një nga shkaqet e problemeve me Moskën është çmimi i lartë që ajo i ka vënë naftës. Kjo zënkë ndërkaq ka kërcënuar pakësimin e furnizimit me naftë edhe për vendet e tjera të Europës që furnizohen rregullisht përmes naftësjellësit që kalon nga Rusia përmes Bjellorusisë. Në vitin 2009, një zënkë e tillë mes Rusisë dhe Ukrainës e detyroi “Gazprom”-in që të ndërpriste furnizimin me gaz dhe naftë në mes të dimrit dhe shumë vende europiane vuajtën pasojat e një veprimi të tillë. Njoftimi për ndërprerjen e furnizimit është pasuar nga një deklaratë e qeverisë bjelloruse për pagesë të borxhit. Ndërkaq, Medvedev deklaroi se do të pranonte shlyerjen e borxhit vetëm në monedhë të huaj dhe jo në natyrë, siç ishte një propozim nga ana e Bjellorusisë. Rusia e ka rritur në mënyrë të vazhdueshme çmimin e furnizimit me gaz, që në fakt është i një cilësie mesatare dhe nuk meriton çmimin që i kanë vënë rusët. Nga 150 dollarë për 1000 metra/kub që ishte një vit më parë, ky çmim është rritur në 169 dollarë në tremujorin e parë të vitit në të cilin jemi. Ndërkaq, Bjellorusia ka vazhduar që të paguajë me shifrën e mëparshme dhe sipas “Gazprom”-it, deri në fund të vitit Bjellorusia do t’i detyrohet Moskës 600 milionë dollarë.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›