E Shtunë, 31 Tetor 2026

Forca e magjisë së fjalës në letërsinë e re turke

Libri: ‘Trëndafil i humbur”

Autor: Serdar Ozkan

Shtëpia botuese: Uegen

Përktheu: Agim Doksani

Libri i fundit i Serdar Ozkan-it, “Trëndafil i humbur”, të bën për vete menjëherë, të këndell, të rrëmben me frazën e bukur e të kultivuar, të josh me shumanshmërinë e planeve dhe të analizës sociale e artistike që u bën dukurive. Romani konsiderohet nga më të mirët e plejadës së shkrimtarëve të rinj turq, që ka bërë emër në botë, një libër me një psikanalizë interesante, sa me sy artistik aq edhe me syrin e një psikologu të hollë. Romani “Trëndafili i humbur” të rrëmben. Fraza lakonike, dialogu i shkathët dhe meditimi i përkryer i japin atij një dimension vërtet interesant, e bëjnë tejet të kohës, të çliruar nga prangat e rrymave të ndryshme që t’i lidhin duart. Shkrimtari ndjek “rrymën” e tij, një linjë krejt më vete, e hollë, mbuluar me një cicërimë të qumshtët dhe po aq transparente, në rrugën mes të besueshmes, të pabesueshmes, shpirtërores, materiales, ndërdyshjes, plëngprishjes, tëhuajzimit të mbrapshtë, perceptimit të dyfishtë dhe lojës anekdotike të kujtimeve. Serdar Ozkan di ta shtjellojë bukur subjektin e vet në një monoplan interesant dhe aspak të lodhshëm, duke na dhënë me origjinalitet të përkryer përmasa gjigante të të vetëdijshmes dhe të pavetëdijshmes. “Trëndafili i humbur” lexohet me një frymë, nën peshën e asociacioneve të dyfishta, të cilat kushdo mezi pret t’i shkokolepsë, t’u japë dum, rrugëzgjidhje. Forca e magjisë së fjalës së thjeshtë, pa mbingarkesa figurative, që veç ia shtojnë peshën fizike fjalës, duket menjëherë dhe të bind. Fraza e parë tërheq si me magnet të dytën dhe kështu ngarkesa emocionale shtohet, duke zhbiruar nëpër skutat e errëta të të fshehtave reale e virtuale, por edhe duke besuar shumë në botën e madhe të realitetit që kapërcen vendin ku jeton e për të vajtur atje, në vendlindjen e largët, atje ku thërret gjaku dhe e kaluara e vetëdijes historike. Secili prej nesh që lexojmë librin e Serdar Ozkan-it ndihemi të afërt me të dhe ky është rrafshi ku vendosen gjërat, aty ku ngrihet platforma e një ndërtese gjigante artistike. Librin “Trëndafili i humbur”, botuar në fillim të verës nga “Uegen” e ka përkthyer Agim Doksani. Tingëllimi në shqip është i bukur dhe koherent. Fraza tingëllon po ashtu si në fuqinë që i ka dhënë autori në origjinal. Në libër, veç të tjerash, gjen edhe një përdorim adekuat fjalësh të reja, të cilat janë ruajtur me kujdes edhe në procesin e redaktimit. Korrektesa e botimit ka bërë të mundur që të na jepet pa gabime dhe pa “lajthitje” fraze, siç është bërë zakon në shumicën e botimeve bashkëkohore shqipe. Xhevair Lleshi

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›