E Shtunë, 31 Tetor 2026

Klaudia Kardinale në krah të “Kumbarit” në Durrës

Klaudia Kardinale është një tjetër e ftuar speciale e Festivalit Ndërkombëtar Veror të Filmit, që nis më 27 gusht në Durrës. Aktorja e famshme italiane i shtohet listës së të ftuarve VIP pas regjisorit të njohur amerikan Francis Ford Koppola. Edicioni i 4-rt do të zgjerohet në katër qytete të tjera të vendit, në Tiranë, Sarandë, Pogradec dhe Vlorë, do të zhvillohet pranë detit dhe Amfiteatrit të Lashtë Romak, ku do të promovojë vepra të rëndësishme dhe inovative të kinematografisë moderne botërore. Mbrëmjet e filmit do t’i dedikohen jo vetëm filmit kompetitiv, por dhe “Mikut të Nderit”, që për këtë vit është kinemaja dhe kultura e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Turqisë. Këto dy kultura kinematografike do të vijnë përmes filmave dhe retrospektivës së regjisorit Francis Ford Coppola. Ky vit do të laurojë me titullin "Gladiatori i Artë" regjisorin Coppola, për të cilin do të shfaqet edhe një program me 4 filma të zgjedhur të tij. Sipas organizatorëve, edhe këtë vit festivali do të sjellë seksionin e dokumentarit ndërkombëtar të filmit të shkurtër. Konkurrimi zyrtar konsiston në përzgjedhjen e tetë filmave të metrazhit të gjatë të përzgjedhur në mes të produksioneve më të reja europiane, si dhe gjashtë filma në seksionin “Botë Ballkanike”, prodhimet më të reja të vendeve të rajonit. Kultura kinematografike turke do të vijë përmes një programi të mirëdizenjuar nga kritikja e filmit, Alin Tasciyan. Kultura kinematografike e këtij vendi do të përcillet në ditët e festivalit përmes një programi prej 7 filmash turq, më të mirët produksione të tre viteve të fundit. Kjo vëmendje e festivalit ndaj këtyre dy kulturave kinematografike do të jetë, sipas organizatorëve, një instrument efikas për të kthyer publikun në Amfiteatrin e Lashte Romak. Programi i festivalit është krijuar për një publik të madh në të 800 vendet e Amfiteatrit të hapur romak të Durrësit. Ceremonia e hapjes do të zhvillohet në këtë Amfiteatër, ku është parashikuar të shfaqet filmi fitues i Festivalit të Berlinit “Honey” nga Semih Kaplanouglu. Një nder kompeticionet e këtij festivali është “Vizione bashkëkohore”, në të cilin stafi i festivalit do të përzgjedhë 9 filma (35mm), nga produksionet më të fundit europiane për konkurrimin. Ndërsa në kompeticionin “Botë ballkanike” do të marrin pjesë filmat më të mirë elitarë të prodhuar në rajon. Gjithashtu ky kompeticion do të ndajë edhe çmimin e Kritikës nga Federata Europiane e Medias “Fiprisci”, për herë të parë prezent në Shqipëri. Në këtë edicion do të vazhdojë edhe kompeticioni i vitit të kaluar për studentin më të mirë shqiptar të filmit me metrazh të shkurtër. Festivali i Filmit në Durrës do të promovojë sërish kinemanë shqiptare, duke përfshirë në program realizime të rëndësishme të trashëgimisë së filmit. Në këtë edicion festivali do të nderojë me Çmimin e Karrierës aktorin Vangjush Furxhi. Gjithashtu në edicionin e katërt të këtij festivali nuk do të mungojnë as leksionet nga mjeshtrit e kinemasë dhe as seksioni i “takimeve për filmin dhe televizionin”. Këtë vit Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit do të inaugurojë Kampusin e Durrësit, i cili do të mbledhë rreth vetes më shumë se 100 studentë të degës së filmit, të cilëve do t`u jepet mundësia të hyjnë në kontakt të drejtpërdrejtë me protagonistët e kinemasë bashkëkohore shqiptare. Festivali Ndërkombëtar Veror i Filmit, me drejtoreshë artistike të festivalit Anila Varfin, e nisi rrugën e tij në vitin 2008 dhe fokusohet në përpjekjet për lartësuar kinemanë në të gjitha format e saj. Gjithashtu, ky festival ka mision të tij rritjen profesionale të marrëdhënieve në të gjitha sferat e prodhimit të filmave.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›