E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blair:Progresi në Kosovë, sinjal për njohje të reja

Perspektiva e Serbisë është drejt Bashkimit Evropian, kështu që do të ishte mirë që edhe Beogradi edhe Prishtina të marrin bashkërisht këtë rrugë drejt BE-së, si dy shtete. Kështu është shprehur ish-kryeministri britanik Tony Blair pas takimit me presidentin Fatmir Sejdiu. Gjithashtu Blair përmendi arritjet e Kosovës, që sipas tij, janë rezultat i punës së liderëve dhe popullit të Kosovës.
Ish-kryeministri britanik ka përmendur edhe vonesën e njohjeve nga vendet e BE-së , por ka thënë se një progres i arritur në Kosovë do të jetë një sinjal i mirë që këto vende ta njohin pavarësinë e Kosovës.
Blair ka përshëndetur Rezolutën e PE-së, e cila u bën thirrje vendeve anëtare të BE-së që nuk e njohur pavarësinë e Kosovës, ta bëjnë atë.
Nga ana e tij presidenti i Kosovës, Sejdiu ka thënë se angazhimi i vazhdueshëm që ka pasur Blair për Kosovën është njëra nga arsyet e respektit të madh që kosovarët kanë për të.
Presidenti ka përjashtuar çdo mundësi të një statusi të veçantë për Mitrovicën duke thënë se 96 vendet qe kanë njohur pavarësinë e Kosovës e kanë njohur atë në kufijtë ekzistues të saj.
Pas këtij takimi, Sejdiu përmendi rrugën që po ndjek Kosova drejt BE-së dhe NATO-s duke përmendur edhe përpjekjet për një fqinjësi të mirë me vendet e rajonit përfshirë edhe Serbinë.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›