Rasmussen kritikon qendrimin e BE-së kundrejt Turqisë
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fogh Rasmussen kritikoi sjelljen e padrejtë të BE-së ndaj Turqisë dhe konkretisht mungesën e vullnetit të shprehur nga ana e Unionit për tw rritur ndikimin e Ankarasë. "Me rëndësi të veçantë është ruajtja e partneritetit me Turqinë jo vetëm me NATO-n, ku ajo është aleate shumë e respektuar, por edhe me BE-në", theksoi Rasmussen për një gazetë daneze.
Rasmussen thekson që BE-ja duhet ta zgjidhë çështjen për pjesëmarrjen e Turqisë në Agjencinë Europiane për Mbrojtje, dhe t'u japë turqve ndikim më të madh në operacionet ushtarake nën komandën e Unionit. Rasmussen nënvizon se Brukseli duhet të tregohet më pragmatist në marrëdhëniet me Ankaranë.
Turqia ka kontigjentin e dytë për nga madhësia në Bosnjë, në kuadër të misionit të kryesuar nga BE-ja, por nuk merr pjesë në miratimin e vendimeve, që i interesojnë këtij misioni. "Kjo është e padrejtë. BE-ja duhet të dërgojë sinjal të qartë se Turqia ka vendin e saj në klubin e vendeve perëndimore", theksoi Rasmussen.