Blank: Ishte turp që Franca u vendos në vazon e dytë
BRAZIL- Shorti i Botërorit i hedhur të shtunën në Brazil, ka vendosur Spanjën dhe Francën përballë njëra-tjetrës, në atë që quhet edhe grupi i ferrit. Pas ceremonisë së shortit, dy teknikët kanë pranuar se nuk kanë qenë shumë me fat në short, por ata janë shprehur optimistë për kualifikimin. “Mund të jetë shumë stimuluese të luash kundër një ekipi si Spanja. Por, unë kam shumë respekt edhe për skuadrat e tjera, pasi edhe ato mund të luajnë shanset e tyre, - deklaroi trajneri i “Gjelave” Loran Blank. – Viti 2014 është shumë larg dhe deri atëherë mund të kenë ndryshuar shumë gjëra, pasi për momentin, Spanja është skuadra më e mirë në botë. Por, mua më duket një turp që Franca u vendos në vazon e dytë, ndërsa Norvegjia, Kroacia e Greqia në të parën. Nuk arrij ta kuptoj këtë”, shtoi ai. Ndërkohë, një grup jo shumë i vështirë për Anglinë e Fabio Kapelos, që do të ndeshet me Malin e Zi, Ukrainën, Poloninë, Moldavinë dhe San Marinon në grupin H. “Nuk është e lehtë, sepse nuk mund të nënvlerësojmë Malin e Zi, Ukrainën me të cilën luajtëm në eliminatoret e Botërorit 2010 dhe Poloninë që po rritet shumë. Nuk e di as nëse San Marino do të jetë sërish një ekip i lehtë apo jo”, deklaroi Kapelo për shortin. Ndërkaq, sërish një short me shumë fat për Gjermaninë, e cila ndodhet në grupin C me Suedinë, Irlandën, Austrinë, Ishujt Faroe dhe Kazakistanin. Një short, që nuk i ka pëlqyer shumë drejtorit teknik të kombëtares Oliver Birhof. “Do të preferoja më shumë të luaja me skuadra të forta, sesa me këto ekipe, me të cilat atmosfera nuk është aq e mirë, - tha Birhof. – Duken skuadra të vogla, por ato të hapin gjithnjë probleme”, shtoi ish-sulmuesi i Milanit. Ndërsa trajneri i Brazilit Mano Menezes, duke komentuar shortin e hedhur në Rio, tha se nuk pret surpriza të mëdha gjatë eliminatoreve. “Jam i sigurt se të gjitha skuadrat e mëdha do të jenë në Kupën e Botës. Detyra jonë është t’i presim mirë”, deklaroi Menezes.
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)
(m.a/A. Latifi/BalkanWeb)