E Shtunë, 31 Tetor 2026

Formula 1, Baton triumfon në Cmimin e Madh të Hungarisë

BUDAPEST- Xhenson Baton ka triumfuar në Çmimin e Madh të Hungarisë në Formula 1, në një garë të çuditshme, nga e cila britaniku ka ditur sërish të përfitojë. Gjithçka ndodhi në Budapest tregoi se skuderia MekLaren në këto momente është duke kaluar një moment të artë, por pavarësisht kësaj, Sebastian Fetel është gjithnjë e më pranë titullit kampion.

Piloti gjerman i Red Bull mori një vend të dytë shumë komod, madje duke lënë pas rivalët e tij në betejën për kampionatin botëror, Fernando Alonso, Ljuis Hamilton dhe Mark Veber. Skuderia austriake nuk po kalon një periudhë të mirë, por Fetel është gjithnjë në zonën e podit dhe tashmë titulli mund të quhet një çështje e mbyllur. Në Budapest, është zhvilluar një garë deri diku e çuditshme.

Ljuis Hamilton ka marrë shumë shpejt kryesimin e saj, duke parakaluar Fetel dhe u duk se ai do të ishte fituesi. Por, pak xhiro para fundit, Hamilton humbi kontrollin e makinës pas nisjes së një shiu të imët, duke bërë që të humbasë edhe vendin e parë e të dytë. Kanë përfituar Baton e Fetel, ndërsa britaniku mundi të zërë vetëm vendin e katërt, në fund të një gare ku ai u tregua shumë agresiv. Për t’u theksuar edhe një zjarr në makinën e Nik Haidfeld, që i ka trembur jo pak pilotët në pistë, por që gjithsesi u zgjidh pa probleme. Vendi i tretë në Hungaroring i takoi Fernando Alonsos, autor i një gare të shkëlqyer, duke rikuperuar edhe në momentet më të vështira të tij. Piloti i Ferrarit bëri një lëvizje të zgjuar në xhiron e 37-të, duke u futur në bokse dhe duke përfituar ndaj australianit Mark Veber.
(m.a/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›