Blank largon presionin: Ne nuk jemi favoritë!
Trajneri i Francës mbron Nasrinë nga kritikat, kërkon maksimumin nga mbrojtja dhe më pas shton: Favoritë janë tre ekipe: Spanja, Gjermania dhe Holanda.
Trajneri i Francës, Loren Blank, gjatë daljes së tij të parë në konferencën për shtyp në Ukrainë, deklaroi se të besuarit e tij nuk janë favoritë për tu shpallur kampionë të Europës. Tifozët blu kanë filluar të besojnë te ekipi i Blankut pas një serie pozitive prej 21 ndeshjesh pa humbje, e cila u kurorëzua me fitoren 4-0 ndaj Estonisë, në miqësoren e fundit. Megjithatë, vetë trajneri i gjelave pohon se janë të tjera përfaqësuese që mund të synojnë trofeun kontinental.
Ne nuk jemi favoritë. Nuk jam vetëm unë ai që thotë se janë dy-tri skuadra të tjera që nisen si favorite për të fituar Europianin. Spanja, Gjermania dhe Holanda janë më të forta në letër. Tre ekipet që mund ta fitojnë Euro 2012, të paktën ky është mendimi i përgjithshëm para startit, – tha ish-trajneri i Bordosë.
Edhe pse mbrojtja e tij nuk pësoi gol në ndeshjen e fundit ndaj Estonisë, Blanku përsërit se prapavija ka ende për tu përmirësuar. Ky repart duhet të jetë nivelin më të lartë të mundshëm për të qenë të suksesshëm në Poloni dhe Ukrainë.
Gjatë eliminatoreve u bazuam te një mbrojtje solide, e cila nuk ka qenë e tillë në miqësore. Pavarësisht nga ata që do të luajnë, ky repart duhet të japë më të mirën e vetes, sepse përndryshe nuk mund të shkojmë shumë larg.. Më pas, Blanku ka dalë në mbrojtje të Samir Nasrisë, duke thënë se mesfushori i Mançester Sitit nuk mund të krahasohet me momentin që po kalon Frenk Riberi.
Samir po përmirësohet vazhdimisht dhe pa dyshim që mund të luajë më mirë. Kur dëgjoj njerëzit të thonë se nuk është si Riberi, unë irritohem. Janë dy lloje të ndryshëm lojtarët. Askush nuk është si Riberi. Jo vetëm në ekipin tonë, por në të gjithë botën.
Ndeshja e parë e Francës do të jetë ndaj Anglisë, ditën e hënë më 11 qershor. Francezët do të kenë mungesa në mesfushë pasi Blaize Matuidi dhe Jan MVila nuk janë të disponueshëm, ndërsa Alu Diarra është në dyshim pas një goditjeje të marrë në gjurin e djathtë.
2 herë e ka fituar Franca kampionatin europian, në vitet 1984 dhe 2000
