E Shtunë, 31 Tetor 2026

Blater humbet mbështetjen e IOC-së përballë Evropës


Altin B. Kodra

Kreu i Lëvizjes Olimpike, Rogë, ndryshon mendim dhe mbështet Bashkimin Evropian për ndryshimet në administrimin e sportit

Presidenti i FIFA-s, Sep Blater, ka mbetur i izoluar dje në betejën e tij për t'i ndalur politikanët që të ndërhyjnë në mënyrën sesi sporti i futbollit administrohet në Evropë, pasi edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar (IOC), ndryshoi qëndrimin e vet përsa i përket kësaj cështjeje. Muajin e shkuar, Blateri dhe presidenti i IOC-së, Zhak Rogë, i shkruan Komisionit të Evropës dhe ministrave të sporteve të vendeve evropiane, duke protestuar për ndryshimet që janë propozuar përsa i përket administrimit të sportit të futbollit në Bashkimin Evropian. Gjithsesi, tashmë Rogë ka ndryshuar mendim dhe e ka distancuar veten dhe institucionin që ai drejton nga kjo cështje. Sipas burimeve në brendësi të kësaj cështjeje, në një bisedë telefonike, kreu i IOC-së i deklaroi Ministrit Britanik të Sporteve, Ricard Kaborn, i cili po e udhëheq këtë fushatë politike, se shprehte keqardhjen e tij për firmosjen e asaj letre. Organizmit që qeveris futbollin evropian, UEFA, ka kërkuar adoptimin e "Pasqyrës Evropiane të Sporteve", të përpiluar nga ekspertë të 25 vendeve evropiane në prill të këtij viti, e cila rekomandon një kontroll më të madh të sportit brenda kufijve të Bashkimit Evropian, duke përfshirë këtu vendosjen e një kufiri për pagat e futbollistëve dhe monitorimin e agjentëve të futbollistëve. Në letrën e tyre, FIFA dhe IOC deklaronin se nuk e mbështesnin këtë dokument dhe u bënë të qartë ligjvënësve dhe politikanëve evropianë se qeverisja e sportit duhet t'iu lihet në dorë vetë drejtuesve të sportit dhe futbollit. Por, në letrën e tij të përgjigjes, një kopje e së cilës është në posedim të agjencisë britanike të lajmeve, "Reuters", Kaborn i referohet një bisede telefonike, ku, sipas tij, Rogë i kishte thënë se "ajo pasqyrë ishte një dokument shumë i mirë për futbollin". "Rogë i tha Kabornit që ai kishte disa rezerva për këtë dokument përsa i përket një vështrimi të përgjithshëm të sportit, por në të kishte padyshim një sërë pikash pozitive, për t'u marrë në konsideratë", - deklaroi burimi në fjalë. Kaborn pritet të takohet me kreun e IOC-s brenda këtyre javëve, por, një burim brenda IOC-së deklaroi se Rogë ishte ndjerë i mashtruar nga FIFA, duke e nënshkruar atë letër dhe e cilësoi nënshkrimin e saj si një veprimt të pallogaritur mirë nga kreu i lëvizjes Olimpike. "Janë një numër njerëzish të futbollit në pozicione shumë të rëndësishme brenda IOC-së dhe ata ia kanë bërë të qartë Rogës se ata nuk ishin të kënaqur me lëvizjen që ai kishte bërë", - vijoi më tej burimi brenda IOC-së. Vetë Blateri, si president i FIFA-s, është gjithashtu një anëtar i IOC-së dhe, të paktën teknikisht, duhet të balancojë interesat e të dyja organizatave në vendim-marrjen e tij. Gjithsesi, në praktikë ai ka si përparësi vetëm veprimin në dobi të interesave të FIFA-s dhe ky vendim duket se tashmë e ka lënë atë më të izoluar se c'e kishte llogaritur.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›